Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi sot raportin për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian duke u fokusuar në përmbushjen e 15 kushteve për çeljen e negociatave.
Në raport theksohet shqetësimi lidhur me akuzat për shit-blerje votash, ndërsa thuhet se partitë politike, shoqëria civile dhe media kanë si detyrë të përbashkët të sigurojnë një fushatë zgjedhore transparente, të besueshme dhe objektive.
Raporti fillestar i raporteres Santos (S&D) iu nënshtrua amendimeve nga bashkëraporteri Lega( PPE) e kolege te tjerë.
Sot u miratuan amendimet e mëpostëme të propozuara nga Grupi PPE: “Ngre shqetësimin për akuzat e blerjes së votës dhe thekson se ndjekja penale për këtë çështje është ndër kushtet e vendosura nga Këshilli në 25 Mars 2020”
Mirëpret rezultatin pozitiv të marrëveshjes së 5 qershorit 2020, i cili zbatoi disa nga rekomandimet e OSBE / ODIHR, por vë në dukje dështimin për t’u mbështetur më tej në të dhe faktin se pavarësisht thirrjeve të përsëritura ndërkombëtare për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias, hapat e mëtejshëm u morën pa një konsensus të gjerë ndërpartiak që rezulton në miratimin e ndryshimeve të diskutueshme të Kodit Zgjedhor në Tetor 2020 nga Parlamenti Shqiptar.
Nënvizon problemet në lidhje me pastrimin e parave, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të patundshme.
Inkurajon zbatimin e plotë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias të 19 Qershorit 2020 për të paketen anti shpifje.
Shpreh në mënyrë të përsëritur shqetësimin rreth masave të propozuara fillimisht nën të ashtuquajturën ‘paketë anti-shpifje’ dhe vëren se çdo rishikim i ligjeve të medias dhe Kodit Penal duhet të bëhet në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke garantuar se zërat dhe mendimet e shoqërisë civile, medias dhe gazetarëve të dëgjohen me qëllim të përmirësimit të lirisë së medias dhe mjedisit të punës së gazetarëve të pavarur.