Greqia e ka bërë të qartë fokusin e axhendës së saj për vitin 2021 pas tensioneve të përshkallëzuara me Turqinë që arritën në pragun e një lufte.
Fill pas vizitës së kryeministrit Rama në Ankara dhe Athinë, shefi i diplomacisë greke i ka dorëzuar kuvendit një projektligj i cili përcakton se Greqia rezervon të drejtën sipas ligjit ndërkombëtar për të shtrirë ujërat e saj territoriale në 12 milje detare në pjesën tjetër të vendit.
Ministri i jashtëm, Dendias në një postim në rrjetin social twitter nënvizon se ky hap dëshmon strategjinë greke për marrëdhënie paqësore me vendet fqinje.
“Dorëzimi i projekt-ligjit në parlament për shtrirjen e zonës bregdetare në Jon është një moment historik për ushtrimin e të drejtës së patjetërsueshme të vendit tonë, bazuar në ligjin ndërkombëtar të detit. Projekt-ligji konfirmon strategjinë e Greqisë për të kërkuar marrëveshje me vendet fqinje, gjithmonë të bazuara në ligjin ndërkombëtar, duke promovuar sigurinë dhe prosperitetin në rajon.”
Greqia ka arritur tashmë një marrëveshje për zonat detare me Italinë dhe Egjiptin, ndërsa ka rënë dakord me vendin tonë që çështja të zgjidhet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, pas refuzimit të paketës Berisha – Karamanlis nga Gjykata e Lartë Kushtetuese e Shqipërisë.
Komiteti parlamentar për Punët e Jashtme dhe Mbrojtjen do të fillojë debatin mbi projekt-ligjin të martën e 12 Janarit, një lexim i dytë do të zhvillohet më 15 janar dhe nëse do të jetë e nevojshme, seanca plenare do të vijojë më 19 janar.