Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shfaqur këtë të hënë në Elbasan, në mbështetje të kandidatit për kryebashkiak, deputetit të PD Luçiano Boçi. Ai u ka bërë thirrje të rinjve që të votojnë Boçin, që qytetit t’i kthehet gjallëria.
“Unë kam besim absolut që me profesor Luçianon, të rinjtë dhe të rejat e Elbasanit do gjejnë shokun më të mirë, për të ecur në rrugën e bashkëpunimit. Që qyteti Elbasanit të ketë atë gjallërinë që meriton. Të rinjtë janë vetë ndryshimi, askush nuk e ka energjinë tuaj për të ndryshuar”, u shpreh Meta.
Po ashtu, kryetari i Partisë së Lirisë premtoi se me Luçiano Boçin kryetar, studentët dhe nxënësit e Elbasanit do të kenë karta studenti/nxënësi për më shumë shërbime mbështetëse.
Pjesë nga fjala e Ilir Metës në Elbasan:
Do të keni për herë të parë kartën e studentit në Elbasan, në mbështetje të gjithë studentëve që jetojnë dhe punojnë këtu. Do kemi kartën e nxënësit, që dhe ata të kenë shërbime mbështetëse, që mbështete nga Bashkia. Është një interes i të gjithëve që Bashkia të jetë në mbështetje të një edukimi sa më me vlera.
Të bashkojmë të gjitha forcat tona, me të gjithë të rinjtë dhe të rejat, që t’i rikthejmë gjallërinë këtij qyteti vetëm përmes ndryshimit. Ta kthejmë në një qendër të kulturës, të sportit, me më shumë mundësira për të rinjtë.
Kemi nevojë të mbështesim vajzat e reja që të bëhen nëna të reja, po nuk është e lehtë që të ruash vendin e punës dhe të kujdesesh për rritjen e fëmijë.
Unë kam besim absolut që me profesor Luçianon, të rinjtë dhe të rejat e Elbasanit do gjejnë shokun më të mirë, për të ecur në rrugën e bashkëpunimit. Që qyteti Elbasanit të ketë atë gjallërinë që meriton. Të rinjtë janë vetë ndryshimi, askush nuk e ka energjinë tuaj për të ndryshuar.
Mundësia erdhi, edhe 50 ditë drejt 14 Majit, të gjithë të votojnë profesor Luçiano Boçin si kandidat për Bashkinë e Elbasanit. Ne do fitojmë në mënyrë që prindërit tuaj të mos jetojnë me ankthin e largimit tuaj nga Elbasani.