Erion Ahmeti ikën me turp nga drejtimi i Policisë Rrugore të Tiranës pas skandaleve të fundit me sigurinë rrugore në kryeqytet.
Shkarkimi ka ardhur nga drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano si një ndër vendimet e para që ka lëshuar qysh nga marrja e drejtimit të këtij institucioni.
Ahmeti ishte akuzuar publisht për probleme të shumta në menaxhimin e Policisë Rrugore të Tiranës, ku i fundit ishte lejimi i elementëve me probleme me ligjin që të qarkullonin lirshëm në akset e kryeqytetit duke mos i penguar askush, menaxhimi i dobët i trafikut, sjelljes së uniformave dhe trajtimi me dy standarde i shoferëve.
Gazetari i Report Tv, Sokol Dema mëson se në krye të Policisë Rrugore në Tiranë është rikthyer Besmir Qibini, i cili e ka mbajtur këtë post më herët në vitet 2014-2015.
Ahmeti është zhvendosur si punonjës në sektorin e sigurisë rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Kërkesa për largimin e tij kanë qenë edhe të më hershme por farë lidhjeve të forta kishte mundur që të mbijetonte për një kohë të gjatë duke thelluar “gropën e zezë” ku hyri Policia Rrugore e Tiranës në këto vite.
Më 18 tetor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano bëri ndryshime të drejtuesve të strukturave vendore dhe qendrore të Policisë së Shtetit. Ndryshimet kanë ndodhur thuajse në çdo qark, përveç Beratit. Këto lëvizje do i paraprijnë ndryshimeve të tjera që do të bëhen në drejtuesit e tjerë të Policisë, në nivel vendor.