Një banor i fshatit Grecalli të Fierit ka treguar se të martën e 16 Nëntorit kur u vra dhe u gropos Mateo 8-vjeçar, ai ishte takuar me Klodian Çalamanin në një lokal paradite rreth orës 09:45.
Për emisionin “Uniko”, ky banor ka treguar se Çalamani kishte kërkuar nga një i njohuri i tyre me profesion murator disa dërrasa për të bërë dy shtylla betoni në hyrje të oborrit të banesës. Pas kësaj ore, banori thotë se nuk e kishte parë më 38-vjeçarin.
“Unë kthehesha nga qyteti, kisha pirë kafe në një klub në fshatin Daullas. Ka qenë ora 10 pa çerek. Aty më ftoi një shok për një kafe, qëndrova. Nuk zgjati shumë, aty ka ardhur Klodi, se Klodi i thoshim.
Ai shoku im është murator dhe ky i kërkoi disa dërrasa donte të bënte dy shtylla për tek porta. Pas asaj unë nuk e pashë më. Ka qenë ora 10 pa çerek. Dërrasat nuk arriti t’i merrte. Bëri kërkesën te ai shoku dhe nuk e di çfarë bëri më pas.
Pastaj unë vajta në shtëpi. Unë kam një biznes të vogël dhe merrem me atë punë. Më vonë erdhi babai i djalit, erdhi pyeti aty mos e ke parë Mateon. Unë thashë që nuk e kam parë.
Më pas erdhën dhe shokët e tij se ai punonte në Vlorë dhe e kishin marrë në telefon që ka humbur Mateo. Klodianin nuk e pashë më. Mateo ishte fëmijë i rrallë, ishte fëmijë i zgjuar, ishte fëmijë i bukur. Mateo do na mungojë të gjithëve.
Mateo nuk ishte vetëm i Ligorit po ishte i gjithë fshatit, ishte djalë i zgjuar, ishte djalë i bukur, ishte i shkathët, ishte fëmijë i pastër, nuk di se çfarë mund të them më për atë fëmijë. Nuk e di se si ai bastard arriti ta vriste atë djalë”, është shprehur ai.
Ndërkohë, Çalamani e ka mohuar që të ketë pasur bashkëpunëtorë në vrasjen e 8-vjeçarit Mateo, krimi i rëndë që ndodhi pak ditë më parë dhe tronditi opinionin publik. Ky pohim i tij për hetuesit vjen pasi familjarët e 8-vjeçarit, kanë ngritur dyshime për përfshirjen e një personi të dytë në ekzekutimin e të birit.
DËSHMITARJA
Një dëshmitare e ngjarjes së rëndë ka treguar se në vrasjen e 8-vjeçarit është përfshirë edhe një femër. Ajo kërkoi të merren shenjat e gishtave të të gjithë familjarëve, pasi sipas saj, një person tjetër shumë i ngushtë është i përfshirë.
Më tej theksoi se Mateo është dëshmitar i një ngjarjeje dhe kjo, sipas saj, duket se i ka marrë jetën vogëlushit.
“Nuk është vetëm Klodiani në këtë mes, por edhe një femër. Tezja e Mateos ka telefonuar vetë një person para dy ditësh dhe ajo e di këtë.
Pra, të merren shenjat e gishtave, qoftë te nusja e xhaxhait, qoftë edhe një person tjetërshumë i ngushtë. Për atë që ka bërë Klodiani ai duhet të varet.
Por nëse do të ishte vrasës, ai do të kishte vrarë fëmijë me kohë. Ku e dinte nëna që vëllai ishte sëmurë, ku i dinte nëna këto biseda…
Unë mendoj që Mateo ka parë diçka, ai donte të thoshte një sekret te xhaxhi dhe tezja. Mateo është dëshmitar i një ngjarjeje”, ka thënë ajo.