Kukësi bën kthesën shumë shpejt në kampionat, pasi verilindorët morën suksesin e 10-të sezonal në transfertën e Rrogozhinës përballë Egnatias (0-2), duke hedhur pas krahëve humbjen në kryeqytet me Tiranën një javë më parë. Ajo disfatë e pësuar ndaj bardhebluve ishte një goditje e fortë për skuadrën e Diego Longos, pasi thelloi diferencën me vendin e parë.
Jashtë Kupës së Shqipërisë, tani rruga e vetme për të prekur Europën është kampionati dhe suksesi ndaj Egnatias tregoi se Kukësi di të reagojë edhe pas një goditje të rendë, për t’u rikthyer shumë shpejtë në shina. Në “Arena Egnatia”, verilindorët dominuan në çdo aspekt dhe u mjaftuan me dy gola, një në secilën pjesë, për të marrë tre pikë me shumë vlera.
Natyrisht, fitorja e Laçit ndaj Vllaznisë ka të mirat dhe të këqijat e saj. Ana pozitive është se tani Kukësi ka krijuar një shkëputje +4 nga vendi i katërt që mbahet nga Vllaznia, por në anën tjetër, vendi i dytë, Laçi është përsëri 3 pikë larg, ndërsa diferenca me vendin e parë nuk ndryshon, me Tiranën që është 9 pikë mbi Kukësin.
Mungesa e golit ndaj Tiranës e coi në 3 numrin e ndeshjeve në të cilat Kukësi në këtë sezon nuk ka gjetur rrugën e rrjetës dhe pikërisht dy golat ndaj Egnatias janë një tjetër tregues i mirë për reagimin e verilindorëve, të cilët ruajnë përsëri statusin e skuadrës me sulmin e dytë më të mirë të kampionatit për momentin, me 32 gola të shënuar.
Një tjetër statistikë që përmirësohet pas javës së 19-të është ajo e portës së paprekur, që tani shkon në 6 numri i ndeshjeve sezonale pa pësuar gol. Java e 20-të mund të konsiderohet një “antipastë e ftohtë” për Kukësin që pret Kastriotin, por krutanët në javët e fundit kanë ndryshuar kurs dhe janë një prej ekipeve më në formë.
Pavarësisht diferencave të theksuara në pikë dhe klasifikim, Kukësi niset si favorit në këtë takim. Pas Kastriotit, Diego Longo dhe skuadra e tij do të nisin turin e forcës, pasi pikërisht në javën e 21-të, verilindorët do të udhëtojnë drejt Laçit, e më pas Teuta, Partizani dhe Vllaznia.