Muharrem Xhafa, kryetar i PPSH-së ish-Shef i Sektorit të Edukimit në KQ të PPSH-së Muharrem Xhafa, ka provokuar një debat publik, duke kërkuar ngritjen e një monumenti për Enver Hoxhën në Tiranë dhe Prishtinë.
“A duhet të ngrihet për Enver Hoxhën monument në Tiranë dhe në Prishtinë?
Pa dyshim që po!
Po, përse nuk ngrihen?
Sepse politika antikombëtare e Tiranës dhe Prishtinës ka frikë botën!
Pas 150 e 300 vitesh, brezat e sotëm nuk do të jenë më. Po Enveri a do të harrohet?
Si njeri, edhe Enveri ishte i vdekshëm! Po ai nuk do të harrohet, sepse ka bërë shumë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar! Enver Hoxha ka bërë epokë me veprën e tij epokale!
Skënderbeu ishte feudal, po Enver Hoxha nuk ngurroi ta quante epokën e tij “Epoka e Skënderbeut”, sepse Skënderbeu bëri shumë për Shqipërinë.
Enver Hoxha e shpalli Skënderbeun “Hero Kombëtar të Shqiptarëve”, i përjetësoi emrin dhe veprën e lavdishme të tij në ngritjen e muzeut kombëtar “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Krujë, në monumentet kushtuar atij në Krujë e në Tiranë, në emrat e shkollave, rrugëve etj. etj!
Kombi ynë dhe historia e tij do të flasin për Enver Hoxhën dhe Epokën e Enverit! Kjo është e padiskutueshme!
Sepse Enveri, pas Skënderbeut, është heroi më i madh i shqiptarëve”, shkruan ai, duke shkaktuar komente të shumta.