Monika Kryemadhi bën deklaratën e fortë duke aluduar se anëtarët e LSI-së mund të jenë nën përgjim nga segmente të qeverisë.
Gjatë një takimi me strukturat në Kavajë, teksa ka reaguar për largimet nga LSI drejt Partisë Socialiste, Kryemadhi ka lëshuar një mesazh të fortë, duke i bërë thirrje anëtarëve të partisë së saj të mos përdorin aplikacionin WhatsApp, pasi nënkuptoi se mund të jenë nën përgjim.
Kryemadhi tha se anëtarët e LSI do të komunikojnë përmes një aplikacioni tjetër, të sigurtë, ndërsa i dërgoi edhe një mesazh kryeministrit Edi Rama.
“Të mos lodhet kot duke harxhuar e duke i vënë njerëzit të zbardhin mesazhet tona, se skanë për t’i kuptuar kurrë mesazhet tona, ashtu siç nuk ka kuptuar se si i kanë dalë votat Monika Kryemadhit edhe në 2013 edhe në 2017”, tha Kryemadhi.
Pjesë nga deklarata e Kryemadhit:
Shumë veta më thonë pse s’i kthen përgjigje për këto anëtarët e famshëm që ikin të LSI-së. I them mos u shqetësoni se e ka përgjigjen 10-ditëshin e fundit të zgjedhjeve për të gjithë anëtarët e PS, jo të LSI-së. Anëtarët e LSI-së janë derë më derë, shtëpi më shtëpi dhe socialist më socialist. Kjo e nervozon dhe e shqetëson, kjo e bën të kërcënojë njerëzit.
Në fakt bëj thirrje të gjithë anëtarëve të LSI-së, nëse më dëgjojnë sot, të mos përdorin më WhatsApp, por të përdorin një aplikacion tjetër që ne do t’ua çojmë të gjithë atyre që janë përgjegjësa të Qendrave të Votimit. Sepse ai mendon që për të ashtuquajturën duke gjurmuar bandat kriminale që i ka në tavolinat e veta, mendon që duke bërë gjërat të tilla mund të gjejë lëvizjet tona dhe të LSI-së. Kështu që po ia them me televizor, të mos lodhet kot duke harxhuar e duke i vënë njerëzit të zbardhin mesazhet tona, se skanë për t’i kuptuar kurrë mesazhet tona, ashtu siç nuk ka kuptuar se si i kanë dalë votat Monika Kryemadhit edhe në 2013 edhe në 2017.