Nga Muharrem Xhafa
Vërehet një prirje e shtetit borgjez dhe e shërbëtorëve të tij për të bërë me faj komunizmin për gjëra që nuk kanë të bëjnë fare me të, siç është për shembull, shtimi i oligarkëve! Jo një herë është thënë në shkrime të ndryshme se partitë e borgjezisë, PD-ja, PS-ja dhe partitë e tjera borgjeze, nuk kanë çfarë thonë e bëjnë më shumë kundër komunizmit dhe për dekomunistizimin e vendit! Por ato as ia kanë arritur e as do të mund t’ia arrijnë qëllimit, sepse është bërë gjithçka kundër vullnetit të popullit dhe me dhunën e shtetit borgjez, për të fituar kapital politik dhe për t’u mbushur mendjen masave të popullit se partitë borgjeze janë kundër komunizmit. Njerëz të shitur e pamoral thonë se në punën për ndërtimin e njeriut të ri socialist, shqiptarëve u është bërë lavazh i trurit!
Më së pari, këtë e thonë pd-istët, po edhe të tjerë pinjollë të borgjezisë dhe shërbëtorë të shtetit të saj. Gjatë LANÇ-it, pas vendosjes së pushtetit popullor, më 29 nëntor 1944 dhe në dekadat e tij është bërë shumë punë edukuese me popullin, me njeriun e tij konkret, duke zbatuar reforma dhe mjete ekonomike e kulturore, po edhe organizative e detyruese kundër koncepteve dhe praktikave feudale e feudo-borgjeze, kundër mentaliteteve e praktikave fetare e turkoshake antishqiptare, ndaj individëve me rrezikshmëri të veçantë shoqërore. Pa asnjë mëdyshje mund të thuhet se puna e bërë dhe reformat e mjetet e përdorura kanë rezultuar të dobishme. Komunistët nuk kanë kurrfarë kompleksi negativ pse thuhet që në vitet e socializmit punohej për formimin e njeriut të ri të tij, të njeriut që do të kryente detyra të reja të një rendi të ri shoqëror dhe ekonomik! Ndonëse jo plotësisht, njeriu i ri i socializmit u arrit të formohej dhe la gjurmë të pashlyera në jetën e vendit, në çdo fushë e skaj të tij, në ekonomi, në arsim e kulturë, në shëndetësi e demografi, në art, në jetën shoqërore e në familje, në pastrimin e ndryshimin e mentaliteteve për jetën e jetesën, për emancipimin e gruas, të rinisë e të gjithë shoqërisë, per shërbimet dhe mbrojtjen e vendit. Kjo kohë qe e shkurtër, vetëm disa dekadash, po u hodhën hapa të mëdhenj përpara. Partia dhe shteti komunist e vlerësonin lart dhe të vështirë këtë detyrë dhe ishin të bindur se edukimi i njeriut të ri nuk do të mund të realizohej brenda një kohe të shkurtër!
Liria e fjalës
Shumë flitet kundër dhe shumë baltë hidhet mbi gjoja “mungesën” e lirisë së fjalës e të të drejtave të njeriut. Kjo e pavërtetë nuk u lejohet të thuhet në veçanti prej intelektualëve të mençur dhe gazetarëve korrektë, se në socializëm ato nuk janë nëpërkëmbur, përkundrazi kanë funksionuar me të gjitha mekanizmat përkatës. Gënjen dhe abuzon me të vërtetën ai ose ajo që thotë se në socializëm janë shkelur të drejtat e liritë e njeriut! Shkelje përbejnë këto që ndodhin sot! Ka 30 vjet që njerëzit janë të “lirë” të vrasin, të vjedhin, të gënjejnë, të shpifin, të merren me drogë e me prostitucion etj. Kjo është liria që borgjezia u jep njerëzve në sistemin borgjez, jo liria që u jep njerëzve socializmi. Atyre zotërinjve që janë gënjyer nga propaganda dhe “shkëlqimi” i realitetit borgjez u themi të mos shohin ëndrra në diell, sepse në asnjë shoqëri njerëzore me klasa s’ka pasur e s’ka liri e të drejta të pakufizuara! As në SHBA, as në Gjermani, as në Francë, as në Angli, as në Itali, as në Greqi etj. njerëzit s’kanë liri e të drejta të pakufizuara. Se edhe në ato vende shoqëria e shteti kanë ligje dhe rregulla të detyrueshme.n
Qëndrimet e Ismail Kdaresë
Në veçanti bëhen komente të pavërteta për mungesën e lirisë së fjalës e të krijimit në socializëm në fushat e artit e të letërsisë dhe për përpjekjet “titanike” “bërë” nga shkrimtarët dhe artistët për të thyer rregullat e metodës krijuese të realizmit socialist, duke sjellë si një shembull të madh Ismail Kadarenë; “harrohet” që Kadareja ka qenë shkrimtar shumë i vlerësuar në vitet e pushtetit popullor. Ata e ato që nuk e dinë, le ta mësojnë se Kadareja ka qenë anëtar i PPSH-së, që ka ngritur lart Enver Hoxhën dhe rolin e tij si udhëheqës i partisë, i shtetit, i popullit dhe socializmit. Kush i mohon këto, ai i bën ose nga inati ose sepse është i pamend në kokë, i pakënduar! Sot Kadare është një shkrimtar i shpërfillur dhe i përdorur nga borgjezia, që nuk ka shkruar ndonjë vepër të shquar për vlera shoqërore e artistike gjatë 30 viteve të sundimit borgjezisë. Ai e di më mirë, po unë nuk mund të mos them se rrallë e ndoshta asnjë shkrimtar i madh nuk ka shkruar dhe mburrur në veprat e tij shkatërrimin e vendit, djegien e tij, shtypjen e shfrytëzimin kapitalist të masave të popullit. Homeri, Shekspiri, Hygoi, Balzaku, Gëtja, Tolstoi, Naimi ynë etj. , të gjithë të mëdhenjtë e botës, ndonëse të lindur e të rritur në sisteme feudale a borgjeze, kanë demaskuar në veprat e tyre shtypjen dhe shfrytëzimin e pakicës borgjeze mbi klasën punëtore e masat punonjëse. Me Kadarenë ka ndodhur ndryshe! Ky, me shokë të tij, të cilët pasqyruan artistikisht socializmin me ngjyrat me të bukura, pas ndryshimit të sistemit, u komprometuan keq nga shteti borgjez, u vunë në shërbim të borgjezisë për poste e karrige, kërkuan të rrëfehen e të shpëlahen para saj. Kadare s’ka lënë gjë pa shkruar e pa thënë në media kundër Enver Hoxhës e socializmit me shpresë se do të bindej juria t’i jepte çmimin “Nobel”! Por jo, sepse me veprën e tij ai i përket komunizmit, siç thoshte kur ishte gjallë Enveri dhe se po të ishte për t’ia dhënë atë çmim, do t’ia jepnin atëherë, kur kishte mbështetje popullore dhe partiake. Në kundërshtim me mendimin e disa shokëve dhe miqve të mi, jam shprehur që Kadaresë t’i jepej çmimi “Nobel” për romanin e tij më të shquar “Dimri i madh”, ku ai ngre lart figurën e Enver Hoxhës në luftën kundër imperializmit dhe revizionizmit modern, për ndërtimin e socializmit me forcat e veta në Shqipëri. Deri vonë Kadare nuk e pati mohuar veprën e tij kushtuar socializmit (dhe pati bërë mirë), por ai, kohët e fundit, ka vjellë vrer më shumë se të tjerë kundër Enverit, duke shpresuar se regjimi i sotëm do t’i jepte vend nderi për rolin e tij në përmbysjen e socializmit, ndonëse ia mbathi për në Francë dhe për thyerjen e rregullave kornizë të realizmit socialist, që i mësoi atje në Moskën e BS të Leninit e Stalinit. Kadare ka humbur sot edhe vlerat si intelektual e shkrimtar i talentuar. Ai duhet të tregohet i mençur dhe të kuptojë se një ditë do të vdesë si gjithë njerëzit e tjerë, po vepra letrare e tij për socializmin do të rrojë! Është absurde të thuhet se realizmi socialist vendoste pragje e korniza për krijuesit dhe se ato i paskësh thyer e kapërcyer Kadare në veprat e tij! Qoftë Kadare, qoftë dikush tjetër krijues i artit, nuk ka thyer kurrfarë “kornize” të realizmit socialist, po ka zbatuar një më një kërkesat e tij. Atëherë krijuesit e të gjitha llojeve dhe gjinive të letërsisë e artit i kishin kushtet dhe mundësitë të krijonin brenda metodës së realizmit socialist! S’është e vërtetë që në Amerikë, në Angli, në Suedi, në Spanjë etj. etj. krijuesit prodhojnë letërsi e vepra të tjera artistike në kundërshtim me interesat e vendit të vet! Edhe atje ka kufizime morale e ligjore. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Muzeu i perëndive të stepës”, “Kështjella” etj. janë vepra artistike të mëdha të Kadaresë, krijuar në socializëm, në atë sistem që servilët e cilësojnë “diktaturë komuniste”. Pikërisht ajo “diktaturë komuniste” u paskësh siguruar Kadaresë me shokë kushte e mundësi për të krijuar e shkruar vepra të pavdekshme, siç vetë epoka socialiste. Pa kushte e mundësi të mira frymëzimi, pune e krijimtarie veprat madhore të realizmit socialist të të gjitha gjinive e llojeve nuk do të mund të ishin shkruar! Se për të krijuar vepra të mëdha nuk mjafton vetëm talenti i krijuesit! Qytetari ynë apo i huaj, kur sheh se libri “Ftesë në studio” i Ismail Kadaresë është botuar në 30 mijë kopje, për çfarë kufizimi të lirisë krijuese e botuese të shkrimtarit a krijuesit mund të flitet?! Njerëzit e shtypit, të letrave e të cilësdo sfere krijuese duhet të mos bien viktimë e injorantëve dhe të ngrenë kultin e pamerituar të Kadaresë a të dikujt tjetër! Se sa lart e ka ngritur Kadare metodën krijuese të realizmit socialit, pa e imponuar askush, mund të sillen në origjinal një herë tjetër shkrimet e tij në shtypin e revistat e kohës. Si paska qenë e zymtë dhe diktaturë ajo kohë, kur nën atë diktaturë qenkan krijuar veprat me të mira të letërsisë socialiste, të muzikës e këngës shqiptare, të teatrit, të kinematografisë, të arteve figurative, të sportit etj. Si paskan arritur të shkëlqejnë e të bëjnë epokë në ato vite të zymtë diktature krijimtaria e një armate të terë krijuesish shqiptarë si Kadare, Agolli, Kol Jakova, F. Arapi, J. Xoxa, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Vaçe Zela, Çesk Zadeja, Hysni Milloshi, Gjok Beci, Vath Koreshi etj., etj., etj.?
Vlerat e socializmit
Duan a nuk duan njerëz të caktuar pranë borgjezisë e shtetit të saj, epoka e socializmit ka qenë më e mira, ndaj dhe u pasqyrua me nota të larta prej atyre talenteve, të moshës së viteve të LANÇ-it dhe socializmit. A mund të thotë ndonjë i talentuar i atyre viteve, pse nuk arrihet të shkruhet sot një roman i vlerave të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, të “Shkëlqimit e rënies së shokut Zylo”, të “Lumit të vdekur”, të dramës “Toka jonë”, të filmit “Nëntori i Dytë”, “Ballë për ballë”, të këngës “Për ty Atdhe” dhe “Nën’ o moj do pres gërshetin” etj.?! Është qesharake të thuhet se disa krijues kanë krijuar në kushte të vështira nën diktaturë e se ata kanë rrezikuar! Lexoni veprat artistike të tyre dhe shkrimet botuar nga ata në shtypin e kohës. Bie fjala, Kadareja ishte komunist, deputet, shkrimtar në profesionit të lirë, nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë, mik i familjes së Enver Hoxhës! Dritëro Agolli, përveçse komunist e deputet, ishte edhe anëtar i KQ të PPSH e Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë etj! Po Dhimitër Shuteriqi?! Po të tjerë? Mund të përmenden qindra emra të tjerë shkrimtarësh, poetësh, dramaturgësh, regjisorësh, piktorësh, kompozitorësh, shkencëtarësh, këngëtarësh, aktorësh, koreografësh, kërcimtarësh, instrumentistësh! Kurrë nuk mund të mohohen e të fshihen ata artistë të mëdhenj dhe veprat e tyre artistike! Në fund, që të kuptohem me lexuesit, dua të them se komunistët nuk jam kundër vërejtjeve të drejta, po kundër mohimit të vlerave të arritura në vitet e socializmit. Se ka perla të arritura në ato vite, të cilat mohohen vetëm sepse janë realizuar dhe i përkasin shkollës socialiste të zhvillimit! Ky është një krim. Se shkolla socialiste e zhvillimit ka qenë dhe mbetet kombëtare, e kombit. Prej asaj shkolle kanë dalë e janë rritur shqiptarë të mëdhenj të njohur në botë, që nderojnë vendin tonë. Kurrë nuk mund të mohohet kjo pasuri e madhe kombëtare vetëm sepse ata njerëz janë përgatitur në vitet e socializmit.
Në çdo etapë të historisë së tij vendi ynë ka pasur, ka e do të ketë njerëz të mëdhenj në të gjitha fushat. Gjithkujt i vjen mirë që kanë nisur të jepen emisione që risjellin për publikun shqiptar veprat perla të kombit dhe virtuozët e tij!