Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka nuk është “peshku i madh” i aferës së inceneratorëve, ndaj i ka bërë thirrje hetuesve që të ketë arrestime të tjera të zyrtarëve të lartë.
Në një dalje për mediat nga selia blu, Basha tha se denoncimet e opozitës kanë qenë të drejta për çështjen e inceneratorëve.
Basha përmendi edhe emrin e Kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të tjerë, që sipas tij, duhet të thërriten nga hetuesit.
Një nga emrat e lakuar nga Basha është edhe aksioneri i kompanisë shqiptare, Klodian Mërtiri, i cili u përfshi në skandalin në Zimbabve për aferat korruptive me dy tenderë në vlerën e 60 milionë dollarëve.
“Sot arrestimi i ministrit të Ramës provon se akuzat tona kanë qenë të drejta. Se denoncimet tona kanë qenë të bazuara. Nuk ka qytetarë shqiptarë ta besojë se ky është peshku i madh. E dinë që të gjithë që 17 vendime qeverie brenda ditës nuk i nxirrte dot një ministër. Emrat e vërtetë që qëndrojnë pas kësaj afere me 400 milionë Euro të shqiptarëve janë ato të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Erion Veliajt, Klodian Mërtirit, Arben Ahmetajt dhe surrogatëve të tjerë ndaj sa kohë nuk ka veprim të plotë, nuk ka drejtësi të plotë për këtë aferë të tmerreshme korruptive.
Nuk mund të themn se sot është ditë triumfi për drejtësi, është ndoshta fillimi i një procesi. Çfarë bëhet me kokat e kësaj afere? Me kreun e qeverisë? Paratë e kujt po pastronte ministri i Ramës që është arrestuar sot?
Ky hap i parë është i mirëpritur, por nga ana tjetër dua të them qartë, në emër të PD se pa shkuar tek peshqit e mëdhënj gjithçka do të mbetet një farsë dhe në vend që të ndërtojë rrezikon që të rrënojë besimin e dejtësi, të shkojë menjëherë të autorët”, tha Lulzim Basha.