Ish ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka reaguar pas masave të shtuara të sigurisë për prokuroren Doloreza Musabelliu, e cila dyshohet se ishte në listën e personave që grupi i Laert Haxhiut do të ekzekutonte.
Gjonaj kërkoj më shumë mbështetje ndaj trupës së drejtësisë teksa shtoi se sistemi i ri është përgjigja e duhur për krimin.
Ndër të tjera deputetja socialiste shkruan:
“Sot më shumë se kurrë, prokurorët e SPAK kanë nevojë për mbështetje! Teksa dëgjon kërcënime me jetë që marrin prokurorët, kupton mjaft mirë se sistemi i ri i drejtësisë që është ngritur është përgjigja e duhur ndaj krimit dhe veçanërisht ndaj krimit të organizuar.
Në SPAK, ka edhe gra prokurore shumë të zonja, me integritet dhe profesioniste që kryejnë punën e tyre me përkushtim, duke besuar tek vlerat e sistemit të ri të drejtësisë.
Solidarizohem dhe mbështes prokuroret Musabelliu dhe Selimi ashtu si dhe të gjitha prokuroret gra të SPAK dhe ato në sistemin e prokurorisë dhe të gjyqësorit për sakrificën e jashtëzakonshme që bëjnë në ushtrimin e detyrës së tyre.
Mbështetje sot, i duhet dhënë jo vetëm nga sistemi i drejtësisë por edhe nga politika dhe shoqëria!”, nënvizon Gjonaj.