Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike Dhurata Çupi, njëkohësish kandidate për deputete në qarkun e Dibrës është takuar me Myftiun e Xhamisë në Mat Fabion Kolaveri. Pas takimit, në një status në facebook Çupi ka falenderuar myftiun për kontributin që jep në pasurimin e shpirtit të shoqërisë vendase në këtë periudhë të vështirë.
Sipas kandidates për deputete, Mati është ndër zonat më të dëmtuara nga keqëqeverisja në 8 vitet e fundit. Çupi vlerëson punën e palodhshme të Myftiut Kolaveri me qytetarët për të ndarë të mirën nga e keqja.
“Ishte kënaqësi të bisedoja sot me Myftiun e Matit, Fabion Kolaveri, për sfidat që ne si individë dhe si shoqëri kemi përpara. Në këtë kohë të vështirë, ai përçon tek njerëzit besim dhe shpresë. Dhe duke mos u lodhur që të ndajë të mirën nga e keqja, më inkurajoi të vazhdoja në rrugën e nisur: “Mbështetja e njerëzve të mirë dhe dinjitozë është detyrim fetar”. Mati është një nga më të goditurit e dështimit 8 vjeçar të qeverisë së Edi Ramës, por falë njerëzve si Myftiu Fabion Kolaveri, pishtari i shpresës për ndryshim është akoma i ndezur”, shkruan Çupi në facebook.
Cupi është rënditur e treta në listën e PD në qarkun e dibrës ndërsa para saj ka dy burra, Xhelal Mziun dhe Kreshnik Çollakun