Nga Ismail Kadare
Serbët dhe miqtë e tyre në Europë u kthetruan tepër pas tezës së mosbanalizimit të „shoas“, me shpresë të zgjonin njëfarë smire kundër shqiptarëve kosovarë. Përherë e më pafytyrësisht filluan të duken shkrimet ku gati-gati quhej skandal krahasimi i Millosheviçit me Hitlerin dhe i krimeve të tij me ato të nazistëve.
Në qoftë se krahasimi i dytë do të kishte një cen, ky nuk do të ishte në favor të serbëve. Kam bindjen e thellë dhe nuk jam i druajtur ta them, gjithmonë, se në Gadishullin Ballkanik asnjëherë, prej askujt, duke përfshirë këtu edhe nazistët, nuk janë bërë krime aq ngjethëse sa ato të serbëve.
Krimi nuk ka një shkallëzim të pafund. Të pushkatosh fëmijë sikur të ishin të rritur, t’i përdhunosh përpara e t’i gjymtosh me pas, ky është një krim suprem në këtë botë. Dhe këtë serbët e kanë bërë shumë herë. Dhe për këtë janë duartrokitur nga një pjesë e madhe e popullsisë së tyre.
Përkrahja e krimit serb prej një pjese të medias e të intelektualëve, kryesisht në Greqi, Itali, Spanjë e disi në Francë, e shtron vërtet çështjen e krahasimit me krimin antisemit, por në një kah tjetër. Krimi antisemit, përpara se të kryhej në atë trajtë e dimë prej nazistëve, pati përkrahjen e një pjese të botës, e pjesës më të madhe të Europës. Pra, ai e pati përkrahjen përpara dhe dënimin më pas. Pra, siç shihet, të dy këto zezona, ashtu si kometat kanë nevojë bisht, kanë pasur nevojë për mbështetje, për bisht kohe…
Kam menduar shpesh kohët e fundit për këtë simetri dykahëshe, njëra prej të cilave shkon drejt së shkuarës, tjetra drejt së ardhmes, ashtu siç kam vrarë mendjen për krejt çështjen e hebrenjve. Ka diçka që njeriun normal s’duhet ta lërë të qetë në këtë histori, diçka hiqet sikur ka vdekur, por është aty, këtë herë jo veç për të zezën e hebrenjve, por të gjithë botës. Në një tregim të Kafkës flitet për një zile që bie diku në qytet e ndihet gjer te shtëpia, te porta e së cilës do të bëhet një vrasje. Zilja e hebrenjve vazhdon të bjerë.
Kam ditur, pa dyshim, shumë gjëra për „shoa“-n dhe, kryesorja, më ka rënë rasti të jetoj një përvojë disi të veçantë. Më 1958, kur kam shkuar për studime në Moskë, shumica e gjërave m’u dukën dhe ishin vërtet më mirë se në Shqipëri. Por kishte diçka që bënte përjashtim: në Rusi kishte mosdashuri, për të përdorur një fjalë të butë, për hebrenjtë. Ajo ndihej, notonte në ajër gjithkund. Si njeriu që, kur vjen nga një mjedis pa makina, e ndien erën e benzinës, unë që vija nga një vend ku antisemitizmi s’njihej e ndjeva të keqen. Atje për herë të parë, disi turbull e kapa ç’do të thotë të jetosh në një vend ku ka mospranim për një popull tjetër. E tulatur, e spërkatur me ujë trëndafili nga lirizmi optimist sovjetik, ajo ishte, megjithatë, atje, erë e vjetër, këmbëngulëse e vdekjes.
Dy-tri njohje e lidhje me vajza hebreje më bënë dyfish, trefish të ndërgjegjshëm për këtë. Brenga e Kosovës vetvetiu ua bëri të afërt shqiptarëve historinë e hebrenjve.
Dje mbarova së lexuari dy vëllimet e „Historisë së antisemitizmit“ të hebreut ruso-francez Léon Poliakov, ish-drejtor nderi i kërkimeve në CNRS. Është, pa dyshim, libri më i mirë për këtë kronikë të errët.
Shpalosja e një tmerri, edhe kur ti e njeh, është befasuese.
Koha e urrejtjes kundër hebrenjve, qysh treqind vjet përpara Jezu Krishtit gjer në shekullin tonë, është vërtet tepër e gjatë për t’u gëlltitur. Dyshoj se Hitleri dhe nazistët kanë qenë një pus, që i shërbyen antisemitizmit botëror për të zbrazur një pjesë të helmit.
Që nga skribët e Egjiptit te Taciti i Romës vrujon tërbimi kundër një populli. Pastaj vijnë aradhë të tëra filozofësh, doktrinarësh, akademikësh, muzikantësh, shkrimtarësh. S’është fjala vetëm te flamurmbajtës të tillë, si Baruch Spinoza ose Richard Wagner-i, as për ndriçues të shekullit, si Voltaire, ose emra që rrinë në themele gjuhësh e filozofësh, si Martin Luther-i a Hegeli. Të gjithë këta na befasojnë, natyrisht, na krijojnë ankth intelektual, bashkë me emra të tjerë të shquar: Schopenhauer, Swift, Laurence Sterne (idhulli i modernistëve), Ernest Renan, Chateaubriand. Por janë disa emra të tjerë që na trishtojnë edhe më fort, siç janë trishtimet e dashurisë: Vëllezërit Grimm, Viktor Hugo, Gogol, Dostojevski. Përse?
Ka përherë një errësim që bie papritur në këtë histori. Ka një mister që na shpëton. Është një zonë e mjegullt ku mençuria dhe ndërgjegjja jonë thyhen nga një forcë e panjohur. Ky është, ndoshta, edhe shkaku që ky tmerr përsëritet. (Marrë nga libri “Ra ky mort dhe u pamë).