Bashkia e Devollit që ka nën administrimin e saj një qytet dhe 44 fshatra, mbetet një ndër fushëbetejat më të rëndësishme mes Partisë Socialiste të Edi Ramës dhe koalicionit Bashkë Fitojmë të udhëhequr nga Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Socialistët garojnë në këto zgjedhje me kryebashkiakun aktual Eduard Duro i cili shihet si më favoriti për të fituar këto zgjedhje.
Në një intervistë, ai ka zgjedhur t’i përgjigjet pyetjeve mbi ecurinë e betejës së tij elektorale ku ka treguar se pse ka zgjedhur një fushatë pa shumë zhurmë.
Gjithashtu, ai jep një përgjigje edhe për rivalin politik Elvis Hajdërlli.
Si po shkon fushata elektorale?
Jemi përpjekur të kemi një fushatë të qetë, pa kosto dhe të përqëndruar tek raporti ynë i drejtpërdrejtë me banorët e Devollit. Pavarësisht bindjeve politike të gjithësecilit, jemi ulur shtruar dhe kemi dëgjuar vlerësime, sugjerime dhe kritika për të përmirësuar modelin e qeverisjes vendore në katër vitet e ardhshme. Personalisht e kam ndjerë veten çdo ditë në fushatë gjatë këtyre katër viteve, sepse jam munduar të jetoj me problemet që ka pasur zona, të pres njerëzit në zyrë dhe të dialogoj me këdo që ka pasur nevojë për ndihmën tonë si institucion.
Cilat janë pritshmëritë tuaja?
Që Partia Socialiste fiton Devollin bindshëm dhe që devollinjtë vetë do fitojnë me zgjedhjen e tyre, ky tashmë është një fakt i mbështetur në të gjithë treguesit tonë statistikorë.
Ne ecim me statistika dhe sondazhe të brendshme gjatë gjithë kohës dhe nuk gënjejmë veten të telendisim njerëzit duke i transportuar nga fshati në 1 fshat për të mbushur mitingjet. Jo, ndryshe nga kundërshtarët që i shohin njerëzit si orendi që mund transportohen për të mbushur thjesht mitingun e radhës, unë i shoh njerëzit si bashkëpunëtorët më të ngushtë që i dua për idetë që kanë dhe jo t’i përdori si fasadë.
Nuk keni për të dëgjuar nga unë që t’i bëj presion njerëzve pse nuk dilni në mitingje, as t’i çoj të afërmit e mi të përleshen dhunshëm në mes të fshatit me njerëz të nderuar që shohin punën e tyre dhe pastaj të ze faqet e gazetave siç bën kukulla përballë meje. Jo, ky nuk është shembull politike por model krimi.
Kryeministi publikisht ju ka ofruar përkrahje në takimet elektorale. Mund të dime çfarë keni komunikuar me kryeministrin?
Me kryeministrin Rama kam pasur komunikime të vazhdueshme si para fushatës dhe pas saj. Bisedat kryesisht kanë pasur fokus Devollin, ku më ka mbështetur personalisht për programin 2023-2027 i cili është ndërtuar në të njëjtën linjë me prioritetet e qeverisë. Unë e falënderoj për përkujdesin e shtuar që po tregon për krahinën e cila tashmë ka hyrë në rrugën pa kthim të transformimit.
Çfarë mendimi keni për premtimet e rivalit tuaj z.Elvis Hajdërlli?
Përveç se të qeshësh, nuk ke çfarë thua gjë tjetër. Kandidati i dyshes Meta-Berisha i propozuar nga deputeti kukull i Alibeajt, të nxjerr mallin e Sudes dhe Rrapush Xhaferrit me premtimet që nxjerr nga goja. Si ata qoftëlargët që zotoheshin se do shumfishonin paratë e devollinjve dhe kur arritën të bindnin disa prej tyre, shpallën falimentin.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Transformimi ka faturë, ndaj kërkon ide konkrete, projekte të mirëshkruara afatgjata, bashkëpunime dhe fonde të sigurta me donatorë, jo thjesht fjalë. Sepse është e thjeshtë të thuash që do bëj mrekullinë pa treguar fillimisht se si do ta bësh atë dhe me çfarë fature, pra ku do i gjesh paratë?
Gjithësesi, nuk kam kohë për të humbur me ta. Devollinjtë e dinë fare mirë se kush janë dy ish doganierët analfabetë, dredhitë që kanë bërë kur qeverisnin si banditë bashkinë, si e falimentuan institucionet për bizneset e tyre ku hynë si falsifikatorë dhe dolën me farmaci, pika grumbullimi, karburantë, parqe-fotovoltaike, vila, apartamente, etj. Ata kanë veç 1 plan, veç 1 ide, veç 1 program dhe veç 1 ëndërr: Ta bëjmë bashkinë sërish biznes kriminal siç e kishim. Por kjo do t’u mbetet veç ëndërr…
Si është e vërteta e rrugës së Arrzë-Miras sepse rivali juaj pretendon se është ndërtuar prej tij?
Vesi thonë se del me shpirtin, prandaj nuk çuditem aspak kur dëgjoj falsifikatorin me tre emra të krenohet se ai dhe shefi i tij kukull e Alibeajt na paskan ndërtuar rrugën e Arrzës e plot të mira të tjera për Devollin. Dokumtentet e shtetit nuk mund të falsifikohen siç falsifikon ai emrat, fytyrën, karrakterin, emisionet e “non gratave” apo të shkuarën e zhytyur në batakun e krimit sa në Shqipëri e sa në Greqi. Për transparencë të plotë me qytetarët e Devollit, po pasqyroj marrëveshjen që kam pasur nderin të firmos më datë 31 gusht 2020 për të nisur ndërtimin e rrugës së Arrzës që në 30 vjet vetëm premtohej ku ju mund të kuptoni se kush GËNJEN!
Ashtu siç i premtova banorëve të Arrzës kur i trokita për t’i kërkuar besimin me votë, ne bëmë realitet shpejt ëndrrën e tyre ashtu siç do bëjmë realitet të gjitha rrugët e projektet për ta kthyer Devollin e Sipërm në atraksion turistik.
Ndërkohë, mos ja vini edhe aq shumë re ish doganierëve vulëhumbur, se aq kuptojnë, aq dinë e aq bëjnë të hutuar nga braktisja që po i bën çdo fshat i Devollit.
Qeshni dhe argëtohuni me marrëzitë e tyre se fatmirësisht veç një rrugë kanë në dorë për të shtruar, atë drejt BURGUT!
Në përmbyllje, çfarë i premtoni devollinjve?
Unë nuk bëj premtime të cilat nuk i kam të mbështetura në plane financiare. Çdo gjë që e them, e kam të konsultuar ne stafin tim si dhe qeverinë qëndrore që më kanë dhënë mbështetje të plotë për programin Devolli 2023-2027.
Do të bëhet e mundur:
1-Projekti i agroturizmit që do financojë ide të reja për bujtina, hartë destinacionesh, guida dhe reklamim të potencialeve të zones;
2-Projekti i transformimit infratukturor ku do i jepet fund këtij problemi pasi është e turpshme që në vitin 2023 të mendohet ende çështja e asfaltit. Me ndihmën e qeverisë, çdo fshat do ketë vëmendjen e duhur në bazë të nevojave njëjtë si aksi Arrzë-Miras;
3-Projekti i shtëpisë muze “Dritëro Agolli”, vendosja e një monumenti në qytetin e Bilishtit dhe ndërtimin e një parku letrar për të prezantuar kulturën e artëdashësve devollinj;
4-Zgjerimi i pedonales së Bilishtit për të jetëzuar pjesën tjetër të qytetit;
5-Më shumë vëmendje ndaj bujqësisë ku do zgjerohet skema e naftës FALAS duke përfshirë edhe suvensionet për plehrat kimike;
6-Përfundimi i të gjitha rrjeteve të ujësjellësit dhe kanalizimeve duke zgjidhur njëherë e mirë këtë problem;
Këto dhe shumë të tjera, tashmë janë pjesë e programit tim “Devolli 2023-2027”, që ka marrë përkrahjen nga qeveria e cila është garancia kryesore për kapitullin e ri që ne po hapim dhe sigurisht s’ka asnjë kthim pas por #VetëmPërpara