“Dua të shkoj në shtëpi”. Një grua i telefonon burrit të saj nga çatia e një ndërtese, dhjetë metra e lartë, ndërsa deti i çmendur ngrihet me një forcë dhe shpejtësi që të heq frymën.
Pastaj heshtje. Yasuo Takamatsu, tani 64 vjeç, e kupton se ai nuk do ta shohë kurrë Yukon, shoqen e vet të dashur të jetës.
Është 11 mars 2011. Një tërmet shkatërrues, në orë 14:46 pasdite me kohën lokale, ngriti fundin e oqeanit në Tohoku, në verilindje të Japonisë, duke lëshuar një cunami me valë që tejkalojnë 700 kilometra në orë. Valët ishin horizontale dhe të larta njëzet metra.
Prefektura Miyagi është ndër më të goditurat. Gruaja e Takamatsut – në punë në një bankë në Onagawa, një port peshkimi – ndoqi udhëzimet e emergjencës dhe u zhvendos, me kolegët e saj, në majë të ndërtesës në vend që të ndiqte instinktet e saj dhe të ikte në kodër.
Shumë më lart. Nga të gjithë punonjësit, vetëm një arrin të shpëtojë. Por jo Yuko: deti i ftohtë dhe vrasës e mori me vete së bashku me 800 të tjerë nga 10 mijë banorët e fshatit.
Nga më shumë se 15,000 viktima totale të tërmetit-cunami, 2,500 nuk janë rikuperuar ende nga autoritetet. Me kalimin e ditëve, objektivi bëhet gjithnjë e më i dëshpëruar.
Por Yasuo Takamatsu, ende i lidhur me ato fjalë – “Unë dua të shkoj në shtëpi” – shqiptuar me dashuri dhe tronditje të atyre që e dinë se janë të pashpresë, kurrë nuk hoqi dorë nga realiteti.
Pas tragjedisë, ai mendoi se kishte vetëm një mënyrë për të vazhduar kërkimet në det: ta bënte vetë. Kështu, ai mori mësime zhytjeje dhe mori licencën e tij.
Pastaj, me kokëfortësinë dhe këmbënguljen që vetëm një lidhje e veçantë shpirtërore mund t’i jepte, në shtatë vitet e fundit, ai është zhytur në oqean përgjatë bregdetit të Onagawas sa herë që mundej.
“Unë jam ende i bindur se ajo është atje, diku, – tha Takamatsu për AP. – E di që Yuko është afër”.
Onagawa, dhjetë vjet më vonë, u rindërtua. Ai fshat është kthyer në simbiozë me një mjeshtër-deti, të jetës dhe vdekjes së banorëve.
Por shenjat e padukshme të atyre që kanë humbur një anëtar të familjes në cunami do të qëndrojnë për një kohë të gjatë.
Jo të gjithë kanë forcën për ta kthyer dhimbjen në karburant të pashtershëm, siç ndodhi me Yasuo.
“Unë, – tha ai përsëri, – do të vazhdoj të zhytem derisa trupi im të jetë në gjendje ta bëjë këtë, derisa gjymtyrët e mia të kenë forcën për të lëvizur”.
Detyra është e madhe. Zhytjet javore i lejuan 64-vjeçarit të rikuperojë shumë objekte: fotografi, orendi.
Por asgjë që i përkiste gruas së tij, asgjë që mund të zbulonte një gjurmë.
Yasuo ka mbetur vetëm me fjalët e shprehura nga Yuko në momentet e fundit të ekzistencës së saj, në një çati shumë të ulët për të ndaluar forcën e rrymës detare.
“Ajo më pyeti si isha, nëse gjithçka ishte në rregull”. Dhe pastaj ajo fjali: “Unë dua të shkoj në shtëpi”.
Yasuo është i bindur që Yuko e dëshiron akoma këtë: “Do ta gjej dhe do ta kthej tek unë”.
Përktheu: Gazeta “Si”