Prej disa ditesh tashmë, në qendër të lajmeve të disa portaleve është vënë kantautori Flori Mumajesi, i cili sipas këtyre lajmeve na qenka në një histori dashurie me bashkëshorten e një qeveritari.
Lajmi u përhap nga një portal skandalesh, duke ngritur suspancën se në shkrimin e radhës do të publikoheshin inicialet.
Dhe kështu ndodhi. Jo vetëm u publikuan inicialet, por portali në fjalë hapi dhe një sondazh me pyetje “a është normale t’u kthehesh lidhjeve të vjetra kur njëri ka krijuar tashmë familje?”, “kur s’ke mundur të krijosh familjen tënde pse kërkon të shkatërrosh të tjetrit?” etj., etj si këto.
Lajmi në pamje të parë të krijonte idenë se ishte një nga ato gjobat për qeveritarin në fjalë. Por jo. Lajmi hapej dhe mbyllej me një tjetër personazh, këngëtaren Elvana Gjata, me të cilën Flori Mumajesi ka pasur një lidhje dhe për të cilën thuhet se i dedikon tekstet e këngëve.
Fansat e të dy këngëtarëve në fakt janë kaq të lidhur me këtë çift, sa ende shpresojnë në një përfundim të të dyve bashkë.
Ok, fansat kanë dëshirat e tyre, kjo ndodh në gjithë botën me çiftet e këngëtarëve, aktorëve apo personazheve publike të dashur në momentin kur ndahen. Kemi një jetë që duam ende Albanon me Rominen bashkë. Dëshiruam Bora Zemanin me Donald Veshajn.
Por t’i rikthehemi lajmit në fjalë. Pak javë më parë vetë kantautori Mumajesi postoi disa video ku shprehte keqardhjen për moskrijimin e një familjeje të tijën, dhe tha se kishte fshirë disa këngë të vjetra të tijat nga “YouTube” pikërisht për këtë arsye. Më pas ai publikoi “Unë mbaroj për ty”, këngë që menjëherë iu atribua sërish Elvana Gjatës.
Po sigurisht që kjo nuk i rri për shtat as vetë këngëtares as partnerit të saj.
Dhe po të lexosh këto lajme me një sy më të imtësishëm, kupton fare mirë se këto lajme më shumë sesa “gjobë” për qeveritarin janë tentativë për të shpëlarë imazhin e këngëtares Elvana Gjata, të cilin ajo e ruan me shumë fanatizëm për t’iu larguar historive të kaluara dhe mbajtur sekret ato te tashmet.
Per të gjithën këtë duket se nuk po kursehet një familje, e cila mund të ketë problemet e veta mbase si kushdo, por që s’ka pse bëhet pjesë e kësaj loje për pastrim imazhi dhe sulm ndaj “fantazmës” së Mumajesit që s’po i ndahet dot, me qëllim apo pa qëllim, jetës së Gjatës. Se kush i sponsorizon këto shkrime këtë duhet ta gjejnë organet hetimore.
Burime për CNA.al bëjnë me dije se kantautori Mumajesi po përgatit padinë për median në fjalë.