Manifestimi i “EuroPride 2022” në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd nuk ka kaluar pa incidente.
Situata e tensionuar bëri që më shumë se 6 mijë policë të ngriten në këmbë për të siguruar rendin dhe qetësinë publike.
Megjithatë, nuk munguan problematikat.
Gazetari shqiptar Isa Myzyraj që gjendej edhe si aktivist në këtë manifestim ka qenë pjesë e personave që kanë mbetur të lënduar.
Ai tregon detajet e ngjarjes teksa thotë se shteti shqiptar s’po i gjendet pranë.
“Prej me shume se 3 orësh tanimë një grup qytetarësh shqiptarë janë sulmuar fizikisht nga ekstremistët e dhunshëm. 2 prej tyre aktualisht ndodhen në spital, të tjerët jemi në hotel, shumica në sulme paniku. Çdo diplomat normal do interesohej për qytetarët e tij. ILIR BOÇKA qenka ambasador i Shqipërisë në Beograd, dhe deri në këto momente as që është interesuar për sulmin ndaj qytetarëve të tij. Turp”, shkruan Myzyraj në reagimin e tij.
Siç raportojnë mediat serbe, policia bllokoi të gjitha rrugët e qytetit dhe arrestoi më shumë se 30 persona, radikalë të ekstremit të djathtë të cilët sulmuan policinë dhe mediat në një përpjekje për të ndalur paradën e komunitetit LGBTQ+, të cilën edhe qeveria e Serbisë është përpjekur ta ndalojë.
Parada filloi në orën 17:30 dhe përfundoi rreth orës 18:00 dhe itinerari i saj shtrihej nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë deri në stadiumin e Beogradit.