Qeveria aktuale është në një gjende të mjerueshme, por ecën e pashqetësuar edhe pse i dalin skandale pas skandali.
Makutëria e oligarkëve, korrupsioni dhe lidhja e krimit të organizuar me politikën siç është në Shqipëri do kishte rrëzuar çdo qeveri në botë.
Por në Shqipëri kjo nuk ndodh, dhe e ka një arsye që shumë veta bëjnë sikur nuk e kuptojnë.
Këtu nuk ka opozitë dhe alternativë qeverisëse.
Ata që kinse janë opozita, PD dhe LSI janë të provuar dhe të dështuar në qeverisje.
Nuk paraqesin asnjë alternativë dhe as besim te qytetarët.
Kemi një opozitë klienteliste që maksimumi që bën është ndonjë status në Facebook.
Edhe kjo duke iu vjedhur idenë gazetarëve apo dhe qytetarëve të tjerë.
Rruga e Kombit
Rasti i fundit është një reagim i Petrit Vasilit dhe Briseida Shehajt që kanë frikë të përmendin emrat e oligarkëve.
U desh një gazetar që të trimëronte zyrtarët e LSI.
Ditën e djeshme një ndër gazetarët më të mirë të ekonomisë, Emirjon Senja i Abc News evidentoi një skandal që lidhej me kursin e këmbimit në pagesën e Rrugës së Kombit.
Sipas Senjës, kompania koncesionare në pronësi të Shefqet Kastratit dhe Pëllumb Salillarit që ka vendosur traun në Rrugën e Kombit po fiton miliona lek në ditë vetëm nga mosaplikimi i kursit të këmbimit ditor.
Ky është një skandal sepse prek direkt xhepat e qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, por opozita deri sot nuk e kishte parë këtë sepse është duke parë ku të vendosë ndonjë gjobë ndaj oligarkëve për t’i marr ryshfetin e radhës.
Sot Petrit Vasili thotë se qeveria dhe ministria e Financave edhe pse janë në dijeni të këtij abuzimi nuk marrin asnjë masë. Ndërsa i bën thirrje SPAK që të veprojë, sepse grabitjen e ka përpara syve.
“Po ky dreq SPAK çfarë pret më kur grabitjen e ka përpara syve. SPAK qe te mos lodhesh ja ku e ke edhe Provën Kuponin e Pagesës me vlere 660 lekë për një automjet paguar sot tek trau i Oligarkëve ne Morine”, shkruan Vasili.Kuponi i prere ne Rrugen e Kombit
E përmendëm këtë rast, si një shembull kuptimplotë se kjo opozitë është pa vizion, pa ambicie dhe dembele.
E vetmja gjë që bënë, është butoni refresh në Facebook mbase ndonjë gazetar që ka ngelur me integritet të bëjë ndonjë status dhe opozita të gjejë një argument.
Që të rrëzohet Edi Rama, të gjithë opozitarët duhet të djersiten duke bredhur nëpër vapë nga Vërmoshi në Konispol. Të takojnë njerëzit, të dëgjojnë hallet e tyre dhe të japin alternativë si do ua zgjidhin hallet.
E tepërt duket kjo që po kërkojmë, sepse ata lëvizin me Range Rover të vitit të fundit, dhe populli i duket një palë që nuk lidhje me ta, madje janë dhe të mërzitur me të pse votojnë Edi Ramën.
Nëse do kemi këtë opozitë, Edi Rama dhe rilindasit e tij do mbretërojë deri sa t’u jap jetë zoti, për fat të keq të qytetarëve.