Kompania e përpunimit të mbeturinave “Eco Tirana” ka terrorizuar banorët e ish bllokut në qendër të Tiranës.
Megjithëse kryebashkiaku Erion Veliaj përgjatë gjithë fushatës elektorale mburret se si Tirana sot është një qytet më i pastër, dhe e ka prezantuar këtë si një kompani që ka si mision pastrimin e qytetit me standardet më të larta, ajo është shndërruar në një ndotëse të tij, ku një pallat i tërë në zemër të kryeqytetit po vuan papastërtitë, aromën e keqe dhe rrezikun e sëmundjeve.
Prej disa kohësh tashmë kjo kompani ka zgjedhur që kazanët e plehrave t’i fusë krejt pa problem në brendësi të një hyrje pallati në një kohë ku aty jetojnë dhjetra familje.
Banorët i kanë adresuar disa letra kryebashkiakut Erion Veliaj, po deri më tani ky i fundit jo vetëm nuk i ka dhënë zgjidhje kësaj situate të paprecedentë, por nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
Kjo ngre pikëpyetje nëse Bashkia Tiranë vazhdon të punojë, apo është e tëra e angazhuar në fushatë dhe punët e administrimit të qytetit janë në mëshirë të fatit.
“Kur e gjithë kjo situatë ndodh në zemër të ish bllokut, çfarë mendohet të ndodhi në rrethinat e kryeqytetit prej kësaj kompanie dhe jo vetëm, përtej propagandës ditore që serviret si një vakt i përditshëm për taksapaguesit e kryeqytetit, teksa po të njëjtët taksapagues gdhihen e ngrysen mes plehrave në pallat”, shprehet një nga banorët e pallatit që adresoi ankesën pranë institucionit të Bashkisë.
Mjaft prindër ankohen se fëmijët e tyre janë të rrezikuar nga ndonjë epidemi e mundshme dhe se pallati i tyre nuk mund të shndërrohet në landfill për kazanët e plehrave ku derdh mbetjet Tirana.
Po ashtu, edhe bizneset pranë po e vuajnë këtë problematike, ku ditë pas dite me lëvizjet e kazanëve që kompania bën në zemër të kryeqytetit pa kurrëfarë problemi, po largon klientët e tyre dhe po i shtyn ato drejt mbylljes.
Deri më tani, Eco Tirana ka shpërfillur ankesat e banorëve dhe ka vijuar e pashqetësuar të vendosi kazanët në habitatin e vetëm që kanë banorët, ku në një anë betoni dhe në anën tjetër kazani nuk mund të jenë panorama me të cilën prezantohet ai që ishte vjet Kryeqyteti Evropian i Rinisë dhe këtë vit Kryeqyteti Evropian i Sportit.



