Në prag të nisjes zyrtare të fushatës elektorale, Partia Demokratike gjendet në një moment delikat për shkak të delegimit të drejtuesve të qarkut, listimit të kandidatëve për deputetë si dhe raportet me aleatët të cilët kanë shtuar kërkesat e tyre.
Këto tre çështje janë disa nga pikat më kyçe në koridoret e “selisë blu”, ku mjaft ish ligjvënës, ish kryetarë bashkish apo aleatë kanë ngritur pikëpyetjet e tyre.
Duke qenë se situate gjendet në një moment jo fort komod për të shkaktuar përplasje, është dashur ndërhyrja e liderit historik të kësaj partie Sali Berisha.
Gazeta DRITA meson se Berisha është rikthyer këto ditë pas shumë kohësh në seli ku ka nisur diskutimet për të ç’tensionuar dhe normalizuar situatën.
Burime të brendshme të gazetës DRITA bëjnë me dije se Berisha ka zhvilluar një sërë komunikimesh të rëndësishme me drejtues dhe ish drejtues të lartë, për të konkretizuar vijueshmërinë e bashkëpunimit.
Më poshtë “DRITA” përcjell edhe një fotografi të makinës personale që përdor Berisha, e cila këto ditë është parë të hyjë dhe të dalë në selinë e demokratëve për të transportuar ish kreun e PD.
Ndërkohë, me lëvizjet e fundit pritet që të eleminohen presionet ndaj Bashës dhe të vijojë procesi i fushatës elektorale për t’u prezantuar përpara qytetarëve.