Ish-kreu i SHIK Fatos Klosi foli për ngjarjet e fundit politike në vend, ku në fokus ishte Sali Berisha.
Në një bisedë me gazetarin Dritan Hila, Klosi tha se në kohën kur ai drejtonte Shërbimin Informativ të Shtetit, perëndimorët i kishin thënë se për ta në Shqipëri kishte më shumë rëndësi siguria, se sa demokracia.
Krahas saj, Klosi përmendi 21 janarin, ku tha se qëllimi i ish-kryeministrit ishte të vriste, për t’i treguar perëndimorëve se ishte zot i këtij vendi.
“Për Shqipërinë pas 97’ ishte më e rëndësishme siguria se sa demokracia. Këtë ma kanë thënë perëndimorët, në kohën kur drejtoja Shërbimin Informativ të Shtetit. Jeni shumë të vegjël, as nuk na prishni, as nuk na ndreqni punë, por nuk duam më të sjellim ushtarë, për të mbajtur rendin në Shqipëri.
Berisha këtë deshi të tregojë më 21 janar. Donte të u tregonte perëndimorëve që ishte zot i këtij vendi. Ishte një qëllim në vetvete për Berishën, të tregonte se është një njeri që i bën ‘zap’ këtij populli.
Tani po bën të njëjtën gjë, por jo më me Shqipërinë, por me PD. Do të mbledhë njerëzit e tij, kundër Bashës. 8 vjet nuk tha asnjë fjalë për Bashën, tani që iu cenuan interesat, foli sërish. Ai mund ta shkatërrojë PD për interesin e tij”, tha Klosi