Detaje të reja dalin në dritë nga vrasja e 8-vjeçarit Mateo në Fier, nga fqinji i tij, Klodian Çalamani.
Në emisionin “Zemër të Hapur”, u konfirmua se nëna e djalit dhe dy të afërme të familjes, kanë dëshmuar ditën e djeshme në polici, se kanë dyshime për përfshirjen e një gruaje në ngjarjen e rëndë.
Sipas të dhënave të siguruara, një gjë të tillë e ka mohuar vetë Çalamani, i cili ka pranuar me gjakftohtësi se e ka kryer ai krimin dhe se mban përgjegjësi të plotë mbi këtë gjë.
Më herët, nëna e të miturit ka kallëzuar në polici një grua të moshuar, e cila pretendohet se ka dhënë të njëjtën dëshmi me vrasësin para arratimit të 38-vjeçarit duke treguar me detaje krimin.
Mësohet se e moshuara është e afërmja e familjes dhe banon pranë banesës së Klodian Çalamanit. Në momentin e marrjes në pyetje nga Policia, pa u arrestuar ende Çalamani, ajo ka treguar lëvizjet e 8-vjeçarit, por ndryshoi fundin e historisë.
E moshuara pretendoi se pasi Mateo i kishte dërguar bukën 38-vjeçarit kishte dalë sërish, e pranë tij kishte kaluar një makinë e kuqe, e cila sipas tyre mund të kishte lidhje me zhdukjen e 8- vjeçarit”.
Përballë këtyre dëshmive gati identike, nëna dhe familjarë të Mateo Vasiut dyshojnë se e afërmja e moshuar mund të ketë pasur dijeni për vrasjen.
Në mos ka qenë e implikuar. Kështu që e moshuara do të merret në pyetje në vijim për të verifikuar dyshimet e familjarëve të 8-vjeçarit të vrarë dhe për të hedhur dritë mbi ngjarjen.