Devollinjtë e mençur vijojnë të ironizojnë deputetin e tyre Ilir Topi fill pasi ata kanë konstatuar indiferencën e tij përballë shqetësimeve të qytetarëve që presin zgjidhje.
Në vijim të satirës së tyre publikuar në rrjetet sociale, ata kanë shkruar me nota humori një letër të ligjvënësit të tyre.
I dashur popull im i Devollit,
Siç e dini, këto ditë ndërpreva pushimet dhe erdha aty në Dobërgorë me qëllimin e vetëm për t’u lutur për juve ashtu siç duhet. Edhe pse më keni konsideruar “TOP” ashtu siç kam mbiemrin, më të vjetrit thonë që Zoti i dëgjon më shumë ata që janë kështu si puna ime. Pavarësisht kësaj, sërish unë nuk mërzitem pasi ju shani unë punoj, ju kritikoni unë numëroj, ju hidhni djersën në lumë, unë vazhdoj, ju pastoni dëborën me lopatë unë ëndërroj, ju votoni unë në Parlament shkoj.
Gjithësesi, kam zbuluar formulën që të marrin fund hallet tuaja. Ato janë lutjet që bëra në Dobërgorë të cilat nuk është nevojë që unë të flas në Parlament e të dëgjojë Edi Rama. Zgjidhja s’është qeveria por Dobërgora.
Më poshtë po listoj lutjet:
1. Ju shitshin qepët devollinjve dhe me lekët e marra blefshin zetorë;
2. Ju shitshin mollët devollinjve dhe me lekët e marra martofshin djemtë që ju kanë ngelur beqarë;
3. Ju shitshin fasulet devollinjve dhe me lekët e marra blefshin brisqe për t’u rrojtur;
4. Ishalla u shitet rakia dhe me lekët e marra blefshin viça;
5. Ishalla u shiten viçat e blefshin lopë;
6. Ju shitçin lopët e blefshin mish;
7. Ishalla e shesin mishin dhe marçin lekë;
8. Marçin lekë dhe i mbjellshin prap;
9.O Edi Rama, ti që më vure në listë për deputet mos të gjetë qetësi shpirti dhe t’u çaftë pllaka e varrit pas vdekjes, e ishallah të hyftë SPAKU nga e çara e varrit”.
10. O Niko Peleshi, zoti martë hak e të lëntë kështu siç je, derisa sa të vdesësh se s’ka dënim më të madh.
Pasi bëra këto lutje, dola në foltore edhe fola para popullit tim. Ata më duartrokitën, madje edhe hipokritët që shajnë prapa krahëve një politikan si unë që vij nga gjiri i popullit.
Besoj se nëse Dobërgora më realizon planin tim të zhvillimit të këtij viti me 10 pika, gushtin e ardhshëm do të lutem më shumë.
Rroftë Arrza, rrofë Dobërgora, rroftë Partia Socialiste, rroftë Devolli, rrofsha unë e ju!
Fitore!