Një bllok me shënime të emrave të pacientëve dhe bashkangjitur tyre edhe shumat e parave që ka marrë është prova më e fortë që ka SPAK kundër mjekut të arrestuar Edvin Prifti.
Mësohet se në këtë bllok variojnë shuma të shënuara që shkonin nga 1 mijë deri në 10 mijë, por nuk dihet nëse bëhet fjalë për lekë apo euro. Nisur nga kjo, SPAK ka sekuestruar kartelat mjekësore për të verifikuar nëse emrat dhe datat korrespondojnë me emrat e shënuar në bllokun e Priftit.
Nga ana tjetër, sa i përket parave të gjendura në shtëpi e në zyrë, mësohet se janë pyetur bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, por këto të fundit kanë thënë se këto para nuk janë nxjerrë prej tyre. Nga sa raportohet, ka qenë gruaja e mjekut që ka deklaruar se paratë ishin të saja që i kishte përfituar nga një kontratë shit-blerje që nuk ishte noterizuar ende. Nga ky proces ka një “përplasje” mes Prokurorisë dhe avokatëve lidhur me vendin se ku u gjetën paratë. Sipas Porokurisë 50 mijë euro dhe 3 mln lekë janë gjetur në zyrën e mjekut, por sipas avokatëve ato ishin në çantë dhe do dërgoheshin në bankë nga mjeku,
Aktualisht SPAK po kryen hetime mbi origjinën e këtyre parave, teksa janë shtrirë edhe në gjetjen e personave që mund të kenë pasur lidhje me mjekun e që shërbenin si sekser për gjetjen e pacientëve dhe transferimin e tyre në privat. Nga ana tjetër, avokatët e kardiologut kanë depozituar në Gjykatën e Apelit kërkesën për lirimin e tij.
Mjeku Edvin Prifti u la pak ditë më parë në burg, pasi Prokuroria i shtoi akuzën për pastrimin e parave, edhe pse ai pretendonte se këto para i kishte fituar nga çmime ndërkombëtare që kishte fituar. Emri i Edvin Priftit doli nga përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës, operacion që u finalizua disa ditë më parë me arrestimin e 13 personave, mes tyre edhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Mjeku Prifti mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën.
Sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallakuçi ka qenë nën përgjim pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani, i cili priste të lirohej nga Enkelejda Hoxha por që nuk u lejua nga SPAK duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës.
Sipas ReportTV ë një prej shumë bisedave që ka kryer, Mallakuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj. Kjo gjë ka bërë që prokurori Altin Dumani të nisë një hetim për korrupsion për mjekun Prifti. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 250 mijë Euro dhe 16 mln leke cash në zyrë e shtëpi.