Babai i Klodian Rashës i cili u vra nga ish-polici Nevaldo Hajdaraj, pas përfundimit të seancës së këtij të fundit ka dhënë një deklaratë për mediat.
Gjatë fjalës së tij para kamerave, ai është shprehur se ky vendim nuk është drejtësi, pasi sipas tij ishte i padrejtë.
Falënderoj çdo person që trokiti në shtëpinë time. Çdo qytetar që dolën në protestë. Problemi është se kjo nuk ishte vrasje e zakonshme ishte makabritet që e kreu një sekt që epitetin njeri nuk ia vendos dot. Ai që ti paguan taksa për të mbrojt jetën paturpësisht vret një djalë të ri në rrugën e shtëpisë së vet. Pavarësisht ngjarjes, tragjedisë viktima merr pozicionin e kriminelit, krimineli u vesh me pektun e viktimës. Mesazhi im ka qenë vetëm një. Djali im iku, por ky rast të jetë një shembull që edhe ai gjyqtari edhe ju të ruani fëmijët tuaj. Si mund të quash drejtësi kur çdo gjë është e qartë dhe me një të rënë të lapsit jep gjykimin e shkurtuar.
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 15 vite burg Nevaldo Hajdarajn. Ish-efektivi i Shqiponjave do të kryej vetëm 10 vite burg, për shkak se ka përfituar gjykim të shkurtuar duke iu ulur dënimi me 1/3.
Gjatë seancës së sotme, avokati i Hajdarajt kërkoi ndryshim të veprës penale, nga vrasje me dashje në “Vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” si dhe kërkoi që i riu të dënohet në minimum, kërkesë që nuk u pranua. Ndërkohë që vetë Hajdaraj nuk foli gjatë seancës.