Nga Enver Robelli
Si do të votoje ti?
Ky tekst nuk ka të bëjë me Kosovën. Por si fenomen ia vlen të diskutohet. Për çka bëhet fjalë? Më 7 mars zviceranet dhe zviceranët do të vendosin në referendum nëse janë për apo kundër ndalimit të bartjes së burkës, mbulesës gjithëtrupore, që e bartin disa gra myslimane. Burka (sidomos versioni që bartet nga gratë afgane dhe pakistaneze) mbulon trupin dhe kokën. Para syve gjendet një lloj “shlici”, por edhe ky i mbyllur me një rrjet. Pra, gruaja me burka shikon përmes “shlicit” me rrjet. Ndalimi eventual i burkës në Zvicër nënkupton edhe ndalimin e nikabit, pra shamisë që mbulon edhe fytyrën dhe bartet kryesisht nga disa gra arabe. Edhe gratë që bartin nikab shikojnë përmes një “shlici”, por pa rrjet. Nikabi shpesh bartet në kombinim me abajën, mantelin apo pelerinën tradicionale të grave arabe.
A duhet të ndalohet një veshje e tillë në jetën publike? A guxon shteti t’ia caktojë njerëzve rregullat e veshjes? Në Zvicër aktualisht është duke u zhvilluar një debat intensiv. Anketat tregojnë se shumica e votuesve do të përkrahin ndalimin e burkës (dhe nikabit). Është një aleancë e çuditshme që e përkrahë këtë ndalesë: partitë e djathta bashkë me feministet radikale laike dhe antiislamiste. Kundër janë partitë e majta, por edhe publicistë liberalë, të cilët theksojnë se në Zvicër burka është fenomen jashtëzakonisht periferik. Sipas një vlerësimi në jetën publike në Zvicër e bartin burkën (apo nikabin) mes 20 deri 30 gra. A ia vlen që për këto gra të shtohet një nen në Kushtetutën e Zvicrës që ndalon mbulimin me nikab dhe burka? Qeveria e Zvicrës nuk e përkrah direkt nismën, ajo propozon që burka të mos ndalohet eksplicit, por gratë që e bartin atë të jenë të detyruara të tregojnë fytyrën gjatë kontrollit të biletës në tren apo në pika kufitare. Qeveria thekson se çështjen e burkës duhet ta rregullojnë kantonet. Dy kantone (Tiçino dhe St. Gallen) tashmë e kanë ndaluar burkën. Një komitet i ekstremit të djathtë ka arritur t’i mbledhë mbi 100 mijë nënshkrime dhe kështu e ka imponuar një referendum në mbarë Zvicrën. Në këtë mënyrë funksionon demokracia direkte zvicerane: nëse dikush arrin t’i mbledhë 100 mijë nënshkrime, ai mund ta nxjerrë në referendum çdo temë, e cila bëhet ligj (nëse miratohet nga shumica e popullit). Njerëzit duhet të votojnë për apo kundër. Më 2009 zviceranët me referendum e kanë ndaluar ndërtimin e minareve në Zvicër.
Në viset shqiptare fenomeni i grave që bartin nikab është tejet, tejet, tejet periferik. Por nuk është joekzistent. Ka raste kur gra të tilla bien në sy – në rrugë, dyqane, lagje që konsiderohen si vatra të besimtarëve të regjur myslimanë. Po të mbahej në Kosovë një referendum i tillë si në Zvicër – cilat do të ishin shanset për ndalimin e nikabit (dhe burkës)? Kjo pyetje është hipotetike, por mbase ia vlen të diskutohet. A do të kishte sukses një nismë e tillë në parlamentin e Kosovës (meqë Kosova nuk e njeh demokracinë direkte si Zvicra dhe a ka kandidatë për deputetë që në Kuvendin e ardhshëm do të lansonin një nismë të tillë)? Kush ka dëshirë, mund të kyçet në debat. Natyrisht pa emocione negative dhe pa teori konspiracioni. Fundja për këtë temë po diskutohet edhe në Francë dhe në vende të tjera të Europës perëndimore. Ndërsa Zvicra voton më 7 mars. Mes votuesve janë edhe mbi 50 mijë shqiptarë me shtetësi zvicerane.