“Kur lind vajzë, qajnë trarët e shtëpisë”. Kjo thënie e vjetër, tepër e njohur për shqiptarët megjithëse është dëshmi e mentaliteti patriakal, për fat të keq, edhe sot zë vend në shumë raste.
Abortet selektive, të cilat në Shqipëri janë në shifra të larta përgjatë viteve të fundit janë dëshmi.
Sipas një raporti të Këshillit të Europës, në Shqipëri lindin 112 meshkuj për çdo 100 femra, një shifër mjaft joproporcionale në krahasim me raportin e rritjes natyrore demografike.
Ndërsa një studim i përbashkët i UNFPA-së dhe World Vision e rendit Shqipërinë dhe Kosovën si vendet e para në Ballkan, ndjekur nga Maqedonia veriperëndimore dhe Mali i Zi, për abortin selektiv të foshnjave kur ato janë femra dhe sidomos kur ato janë të dytat apo të tretat në familje.
Një tjetër e dhënë është ajo e statusit martesor, ku 90,5 % e aborteve janë kryer nga gratë e martuara, ku vihet re po ashtu, aborti selektiv me bazë gjinore.
Aborti selektiv i seksit përcaktohet qartë në Konventën e Komisionit Evropian për të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë si diskriminim gjinor. Siç dëshmohet edhe në studimin e “World Vision-UNFPA” të vitit 2021 dhe nga një hulumtim i kryer në 2018, fenomeni është i pranishëm në shoqërinë shqiptare.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, nga viti 1990 e në vazhdim, në Shqipëri kanë lindur më shumë meshkuj sesa femra, duke tejkaluar raportin natyror të seksit. Raporti i gjinisë në lindje është rritur, duke shënuar 109.0 në 2019, nga 108.0 në 2018.
Qarqet si Gjirokastra, Korça, Kukësi dhe Lezha kanë një raport seksi mashkull-femër mbi 1,11 që do të thotë se 111 djem lindin për 100 vajza, ndërsa raporti natyror i seksit është 105 meshkuj për 100 femra. Midis stafit mjekësor pjesëmarrës në hulumtim, 87 përqind deklaruan se çiftet tregojnë një preferencë të theksuar për një fëmijë mashkull dhe kjo preferencë është veçanërisht e theksuar tek burrat (d.m.th. në 75 përqind të rasteve).
Ndërsa praktika e abortit selektiv është përmendur paraprakisht në Përmbledhjen Kombëtare për zbatimin e Platformës së Pekinit të vitit 2019, ajo nuk është adresuar ende si dhunë ndaj grave dhe diskriminim gjinor në politikën përkatëse shëndetësore dhe gjinore. Mungojnë materialet informuese, edukative dhe ndërgjegjësuese për abortin selektiv dhe asnjë studim i mëtejshëm nuk është kryer. Ndërsa raportimi nga spitalet publike, klinikat private dhe Instituti i Shëndetit Publik është i pamjaftueshëm dhe kërkon koordinim.
“Këto të dhëna janë tregues të zbatimit të abortit selektiv për shkak të seksit të fetusit dhe ngrenë shqetësimin se ky fenomen është shtuar pavarësisht se të dhënat e sakta mungojnë.”, – thuhet në këtë përmbledhje.
Edhe një studim i shoqatës “Together for Life”, me titull “Aborti selektiv me bazë gjinore në Shqipëri” del në rezultatin se që nga vitet ‘90, në Shqipëri lindin shumë më tepër meshkuj sesa femra, duke kaluar raportin natyral të lindjes.
Sipas të dhënave, 745 nga 1579 të intervistuar, ose 47% e tyre, kishin dëgjuar për të afërm që kishte kryer abort selektiv. Për më tepër, sipas të dhënave të mbledhura, në 42% të rasteve abortet ishin realizuar në spital/klinikë private, në 35% të rasteve në maternitet publike dhe në 15% të rasteve në ambientet e shtëpisë.
Ekzistenca e abortit selektiv mbështetet shumë edhe në deklaratat e dhëna nga stafi mjekësor në Shqipëri. Nga kampioni prej 200 mjekësh obstetër e gjinekologë, si dhe mami të pyetur në Tiranë, Gjirokastër, Lezhë, Kukës dhe Korçë, të gjithë kanë pranuar se në vendin tonë kryhen aborte selektive. Rreth 87% e tyre deklarojnë se çiftet shfaqin një preferencë të theksuar për gjininë mashkullore dhe kjo preferencë rezulton se është shumë e theksuar tek burri me shtatëdhjetë e pesë për qind (75%) të rasteve.
Rreth 57% e stafit mjekësor e konsiderojnë abortin selektiv si të pranishëm në vend, ndërkohë që 1 në 2 prej tyre pohojnë se janë përballur të paktën një herë me identifikimin e abortit si zgjidhje e mundshme kur gjinia ishte e padëshiruar nga prindërit.
Ligji lejon ndalimin e shtatzënisë deri në javën e 12, përjashtuar rastet kur fetusi rrezikon jetën e nënës.
Shqipëria ka një situatë të ngjashme me disa vende kaukaziane përsa i përket abortit selektiv, ndërkohë që problematike në këtë drejtim është edhe Kosova.
Sipas të dhënave të fundit nga OBSH dhe UNFPA, çdo vit rreth 117 milionë fëmijë të gjinisë femërore nuk vijnë në jetë për arsye të abortit selektiv në Azi dhe në Europën Lindore (ku përfshihet edhe Shqipëria dhe Kosova).