Edhe pse Shqipëria është një vend i vogël, larg agjendës politike globale, ka shumë për të mësuar.
Në një botë të mbërthyer gjithnjë e më shumë nga ekstremizmi dhe radikalizmi, Shqipëria nuk është në ballë të shumë mendjeve në betejën për tolerancë më të madhe.
Megjithatë, duhet të shërbejë si një ilustrim se si një komb mund të ndihmojë në rrënjosjen e një mirëkuptimi më të madh midis njerëzve të prejardhjeve, feve dhe etnive të ndryshme.
Pjesa më e madhe e këtij qëndrimi ndaj tjetrit gjendet në identitetin kulturor të Shqipërisë.
Disa kanë sugjeruar se ai është i rrënjosur thellë te besa, një kod nderi që ruan besnikërinë ndaj të gjithë njerëzve, veçanërisht kur kanë nevojë.
Ishte besa ajo që siguroi që shqiptarët jo vetëm të refuzonin të bashkëpunonin me nazistët në identifikimin e popullsisë së tyre hebreje gjatë Holokaustit, por gjithashtu u bë një vend i shenjtë për hebrenjtë që kërkonin strehim nga jashtë kufijve.
Ishte një nga vendet e pakta që kishte më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore se sa përpara saj.
Mikpritja dhe mirësia shqiptare ndaj të gjithëve përshkon të gjitha nivelet e shoqërisë. Është krenari për popullin vendas.
Ka shumë shpjegime të dhëna për këtë qëndrim ndaj të tjerëve.
Disa pretendojnë se është i rrënjosur thellë në traditën popullore shqiptare. Kurse të tjerë sugjerojnë se është një nënprodukt i komunizmit, i cili shtynte një besim ateist që rrëzoi barrierat fetare dhe ekstremizmin e mundshëm.
Megjithatë, kjo nuk shpjegon qëndrimin e hapur dhe tolerant që ka ekzistuar shumë kohë përpara dhe pas komunizmit.
Një shembull është ai i vitit 2014.
Asokohe, grup myslimanësh në Malbardh, një fshat i vogël në Shqipërinë veriore, mblodhën para për të rindërtuar një kishë katolike mesjetare që ishte shkatërruar gjatë komunizmit.
Çka tregon se feja në Shqipëri mund të jetë unifikuese. Ndryshe nga vende të tjera të botës, ku mund të jetë përçarëse.
Dallimet fetare jo vetëm që tolerohen, por edhe respektohen.
Ky qëndrim duket të jetë diçka e natyrshme në shoqërinë shqiptare. Ndjehet edhe në nivelet më të larta politike. Ai kodifikon vendimmarrjen dhe favorin e kërkuar nga një i panjohur në rrugë.
Është një shoqëri që nuk është e kufizuar nga kufijtë, shumica e shqiptarëve jetojnë jashtë vendit. Teksa ka 2.8 milionë shqiptarë që banojnë në republikë, ka shumë më tepër që jetojnë në një diasporë globale shqiptare.
Nën komunizëm Shqipëria u detyrua të izolohej, por sot gjithçka është ndryshe.
Tani është e gatshme dhe e aftë të ndihmojë për të shërbyer si urë lidhëse midis popujve dhe feve.
Por çfarë mund të mësohet prej Shqipërisë?
Është një komb që duhet studiuar dhe kuptuar.
Nëse pak nga toleranca dhe besnikëria ndaj tjetrit do të përhapej në mbarë botën, të ishte një gjë shumë pozitive. Shqipëria duhet parë si një laborator dhe inkubator i tolerancës dhe bashkëjetesës fetare.
Teksa shumë vende pëlqejnë të flasin për një të kaluar bashkëjetese ose të punojnë drejt një të ardhmeje më të mirë, shqiptarët po e jetojnë atë.
Shqipëria duhet të jetë një ndalesë e rëndësishme për të gjithë ata që kujdesen për një botë më tolerante.
Është një vend ku njerëzit me prejardhje të ndryshme fetare dhe etnike jo vetëm që jetojnë krah për krah, por kanë një kulturë ndihme dhe mbështetjeje.
Qoftë shpëtimi i njerëzve të një feje tjetër nga shtypja apo ndërtimi i një ndërtese fetare që ata nuk do ta përdorin kurrë, shqiptarët e kuptojnë instinktivisht nevojën për të ndihmuar njëri-tjetrin.
Bëhet fjalë për komunitetin dhe krijimin e një ombrelle të madhe për të gjithë. Jo për t’i ndarë njerëzit dhe identitetet e tyre të ndryshme, por për të kërkuar atë që i bashkon dhe për të gjetur kauzë të përbashkët.
Në mbarë botën ka shumë projekte të ndryshme të bashkëjetesës dhe tolerancës që kërkojnë mënyra për t’i bërë hebrenjtë, myslimanët dhe të krishterët të punojnë së bashku drejt tolerancës më të madhe.
Shumë po përpiqen të gjejnë përbërësit që mund t’i bëjnë ata të suksesshëm.
Rekomandimi më i mirë është të vizitohet Shqipëria dhe të mësohet për historinë dhe kulturën e saj. Përbërësi që mungon është aty.
Marrë nga “The Jerusalem Post”