Bordi i Transparencës, apo i konsideruar nga shumë shqiptarë si “Bordi i Kastratit” ka vendosur çmimet e reja të tregtimit të karburanteve në vend.
Në një kohë kur në bursë shënohet një ulje e madhe, ata kanë ulur çmimin e naftës veç me 3 lekë.
Sipas vendimit të fundit, një litër naftë do të tregtohet më 258 lekë, nga 261 lekë që tregtohej më parë nga Kastrati pasi karburantët e tjerë kanë fiksuar çmime shumë më të ulta.
Një ulje të lehtë ka edhe për çmimin e gazit. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz do të jetë 83 lekë/litri, ose tre lekë më pak nga se ishte.
Çmimi i benzinës ka një rritje të lehtë. Një litër benzinë do të jetë 239 lekë në pikat e shitjes me pakicë.
Bordi thekson se çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që, në pikat e tjera, për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën.
“Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi”, shkruhet në vendim.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Bordi vuri në dukje se janë në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë.