Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se ngjarjet kriminale në vend janë të ndikuara edhe nga deklarata e kryeministrit Edi Rama që tha se “kriminelët le të hanë kokat e njëri-tjetrit”.
Sipas Berishës, kjo deklaratë e Ramës është njësoj si të japësh licenca për vrasje dhe tregon dorëzim para krimit.
Komentet Berisha i bëri nga Vau i Dejës, teksa prezantoi kandidatin e dalë nga “Primaret” për këtë bashki, Zef Hilën.
Ai shtoi se në 14 maj socialistët nuk duhet të japin asnjë votë për kandidatin e PS-së në Vaun e Dejës, që sipas Berishës, Rama ia dha me koncesion Tom Doshit.
“Rama doli me parimin “t’i hanë kokën njëri-tjetrit”. Ne nuk e kemi dënimin me vdekje. Ky është makabritet. Kjo që thoshte Rama është e njëjtë si të japësh liçenca për vrasje. Çfarë ndodhi parmbrëmë, një nënë që punonte në banak dhe 4-5 qytetarë që pinin kafe u bënë objekt i breshërisë së kallashnikovit, vetëm sepse Rama urdhëron të hanë kokat e njëri-tjetrit. Mund të kishim 6 të vdekur. Ky është dorëzim para krimit. Ndaj u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që më 14 maj të votojnë Zef Hilën, të votojnë ndryshimin.
U bëj thirrje socialistëve, asnjë votë për kandidatin, kryetarin tuaj që Rama ia dha me koncesion Tom Doshit. Po ç’punë keni ju me ta, jeni shumë më afër me Zef Hilën”, tha Berisha.