Lulzim Basha deklaron se në shtatë vite qeverisë, Edi Rama ka shkatërruar shtresën e mesme përmes taksimit të punës dhe dijes më shumë se çdo qeveri tjetër e mëparshme.
“Sot të gjithë e shohim se taksa progresive e Ramës ka dështuar dhe ka prodhuar vetëm kaos, pandershmëri dhe padrejtësi. Ajo është kritikuar fort edhe nga organizatat ndërkombëtare si FMN”, deklaaron kreu i PD-së.
Basha thotë se paratë e mbledhura përdoren për dhënien e tenderave korruptivë për klientët e Kryeministrit, ndërsa vendi zhytet edhe më thellë në varfëri, njerëzit humbin vendet e punës dhe kriza ekonomike thellohet.
“Rama e ka futur dorën thellë në xhepin e çdo qytetari. Ai nuk mendon për njerëzit, por vetëm për nje grusht klientësh dhe oligarkësh dhe e ka vënë shtetin dhe çdo politikë fiskale në shërbim të tyre duke i lënë qytetarët në mëshirën e fatit”, shton ai.
Zgjidhja, sipas kreut të PD-së është vetëm plani ekonomik i opozitës. Ai premton heqjen e niveleve të taksave dhe ngritjen e një sistemi të thjeshtë dhe transparent të taksave.
“Vendit i duhet një ndryshim i madh dhe rrënjësor! Politika jonë fiskale është pjesë e Planit Ekonomik për ti kthyer frymëmarrjen vendit dhe ekonomisë së njerëzve: më shumë të ardhura në xhepat e tyre dhe më pak taksa. Ne do t’i eliminojmë nivelet e shumta të taksave mbi punën, do t’i heqim pengesat që vetëm frenojnë zhvillimin dhe do të thjeshtojmë të gjithë sistemin”, shton ai.
Basha ndan bindjen se më shumë para në xhepat e qytetarëve përkthehet në më shumë investime që nxisin arsimim dhe kualifikim.
“Politika jonë fiskale ka në bazë taksën e sheshtë 9% për qytetarët dhe të punësuarit, taksa më e thjeshtë dhe më e ulët në të gjitha vendet e rajonit. Mirëqenia e shtresës së mesme, e atyre që punojnë dhe prodhojnë, është jetike për rimëkëmbjen e gjithë ekonomisë shqiptare”, shprehet kreu i PD-së.