Ditën e sotme kreu i PD-së Lulzim Basha ka firmosur një marrëveshje pas zgjedhore me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi.
Kjo marrëveshje mes tyre vjen pak ditë pas asaj Basha firmosi me aleatët për të shkuar në zgjedhje bashkë duke formuar koalicionin “Aleanca për ndryshim”.
Kjo marrëveshje përmban 13 pika, ku fokusi është nxjerrja e vendit nga kriza.
Pas firmosjes së marrëveshjes, të dy krerët e partive mbajtën një konferencë për gazetarët.
Gjatë fjalës së tij Basha tha se premtimet e tij janë një plan real pune për të nxjerrë vendin nga kriza.
Ai u premtoi shqiptarëve se nuk do t’i zhgënjejë, por që do të luftojë për ndryshimin e të ardhmes së fëmijëve tanë.
“Rrugëtimi ynë i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë fillon sot. Koalicioni ynë ka bashkuar të gjitha forcat për të garantuar që 25 prilli të jetë dita e ndryshimit, pas 8 vitesh dështim.
E shoh shpresën dhe entuziazmin tuaj, bashkë me pranverën po vjen edhe dita e ndryshimit, për të ndryshuar gjërat për çdo shqiptar.
Në emër të PD-së, të koalicionit dhe opozitës iu premtoj se nuk do t’u zhgënjejmë. Do të angazhohemi së bashku për të sjellë një Shqipëri më të re.
Ne e dimë të vërtetën, Shqipëria është e fortë por e meriton një qeverisje të mirë, një qeverisje që të kujdeset për ju në vend që të kujdeset për veten.
Gjatë këtyre ditëve kam prezantuar programin për arsimin, ekonominë, pronat, bujqësinë.
Një program me anë të së cilit foton çdo shqiptar. Nuk janë premtime boshe, por janë plane pune që ndryshojnë jetën e secilit prej jush.
Ka ardhur koha që të bashkohemi për të sjellë ndryshimin. Ka ardhur koha që të bashkohemi për të sjellë ndryshimin me anë të së cilit do të fitojnë Shqipëria, do të fitojë e ardhmja e fëmijëve tanë”,- u shpreh Basha.