Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë ka komentuar gjobën që mori shteti shqiptar nga Arbitrazhi, që duhet të dëmshpërblejë biznesmenin italian Becchetti.
Balluku deklaroi se Shqipëria ka të drejtë të mos e marrë parasysh vendimin e Gjykatës Supreme të Mbretërisë së Bashkuar, që ka refuzuar kërkesën e Shqipërisë për rihapjen e çështjes me biznesmenin italian, Francesko Becchetti.
“Shtetet për shkak të sovranitetit kanë të drejtë të mos marrin parasysh vendimet e Gjykatës Supreme të Mbretërisë së Bashkuar. Ky është dhe pozicioni ynë. Qeveria shqiptare do të luftojë për sovranitetin e këtij vendi ashtu si i takon dhe do ta mbrojë nga çdo lloj krimineli i dënuar 17 vite, i cili ka kryer krime të faktuara nga gjykatat e të gjitha niveleve dhe nuk ka shans që qeveria shqiptare të lejojë që Shqipëria të merret peng nga kriminelë të këtij niveli. Luftën nuk po e bëjmë vetëm për vendin tonë, por kur Shqipëria të fitojë këtë luftë me rastin në fjalë do të kemi ndihmuar edhe disa qeveri dhe kompani të tjera që dhunohen prej vitesh nga i njëjti kriminel”, deklaroi Balluku në një prononcim për mediet, pas mbledhjes së qeverisë
Sipas saj, kjo është një luftë për të drejtën.
Zv/kryeministrja po ashtu vuri në dukje se Shqipëria do të pajtojë avokatët më të mirë për t’u mbrojtur, pasi sipas saj, cenohet sovraniteti i vendit nga një kriminel i dënuar.