Fillimi i projektit, të financuar nga BE, rrit ndërgjegjësimin dhe forcon kapacitetet kombëtare për të luftuar helmimin e faunës së egër në Ballkan, i cili është një nga shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë dhe rënies së popullatave për një numër të madh speciesh të kërcënuara dhe të rrezikuara.
Edhe pse helmimi i faunës së egër është i paligjshëm në Ballkan, kjo praktikë e dëmshme është akoma e përhapur dhe përbën një kërcënim serioz për faunën e egër, veçanërisht për shkabat, mjedisin dhe faunën e egër. Falë përpjekjeve konservuese, ka patur mjaft progres në këtë drejtim dhe tani, fillimi i një projekti të ri ambicioz sjell shpresë të re për luftimin e mëtejshëm të këtij problemi! Nëpërmjet projektit “BalkanDetox LIFE”, nëntë organizata do të punojnë së bashku me aktorë të ndryshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke filluar nga autoritetet qeveritare deri te gjuetarët dhe mbarështuesit e bagëtive, për të minimizuar këtë kërcënim dhe për të arritur rezultate konkrete në të shtatë vendet e Ballkanit.
“Projekti BalkanDetox LIFE” u ndërtua mbi baza të forta të krijuara nga projekti i Fondacionit për Ruajtjen e Shkabave (VCF) “Balkan Anti-Poisoning Project”, veçanërisht në sigurimin e angazhimit të institucioneve përkatëse qeveritare për të luftuar helmimin e faunës së egër dhe do të mundësojë vazhdimin e kësaj nisme për të përmirësuar menaxhimin e incidenteve të helmimit dhe për reduktimin e ndjeshëm të vdekshmërisë së shkabave dhe specieve të tjera të prekura nga ndjekja e kësaj praktike të paligjshme në Ballkan”, thotë Uroš Pantović, koordinator i projektit BalkanDetox LIFE.
Metoda më e ndjekur për helmimin e faunës së egër në Ballkan është vendosja e qëllimshme e karremave helmues kafshët grabitqare dhe kafshë të tjera të egra, ose shtëpiake, që mund të shkaktojnë dëme në bagëti ose në speciet e gjuetisë. Kjo është një metodë jo-selektive për shfarrosjen e kafshëve, e cila prek jo vetëm e speciet e synuara, por edhe specie të tjera. Shkabat, të cilat ushqehen me karkasa/kërma, shpesh bien viktima të helmimit duke ngrënë direkt karremin, ose duke ngrënë karkasat e kafshëve të helmuara. Incidentet e shpeshta dhe të njëpasnjëshme në Ballkan rezultuan në helmimin dhe vdekjen e 465 shkabave të konfirmuara gjatë 20 viteve të fundit. Një studim i VCF vlerëson se në Ballkan të paktën 115 shkaba vdesin çdo vit nga helmimi, duke qënë se vetëm 20% e këtyre incidenteve janë zbuluar dhe dokumentuar.
“Ky problem alarmues ka shkaktuar një rënie të madhe dhe madje zhdukjen e specieve të shkabave në vendet e Ballkanit, ku popullatat janë ende të vogla dhe të copëtuara, ndaj është urgjente që ta trajtojmë këtë çështje nëse duam t’i rikthejmë popullatat e shkabave në Ballkan në nivelet dhe shpërndarjen e dikurshme”, thotë José Tavares, drejtor i VCF.
Projekti “BalkanDetox LIFE” synon të ndryshojë sjelljen dhe perceptimet e grupeve të interesit, nga vendimmarrësit te publiku i gjerë dhe te vet përdoruesit karremave helmues. Ekipi i projektit do të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me seriozitetin e problemit, si dhe do të këshillojë mbi alternativat e sigurta ndaj problemit thelbësor (konflikti njeri – kafshë të egra), si psh masat parandaluese që nuk dëmtojnë kafshët, apo mjedisin. Për më tepër, projekti do të përforëcojë kapacitetet operacionale dhe do të koordinojë veprimet institucionale për të rritur zbulimin dhe për të përmirësuar menaxhimin e incidenteve të helmimit, për të mundësuar një përgjigje të menjëhershme dhe efektive ndaj incidenteve të tilla, si dhe për të zbatueshmërinë e ligjit me qëllim parandalimin e tyre. Qëllimi përfundimtar është të minimizojë shkallën dhe shtrirjen e helmimit të faunës së egër në Ballkan dhe në këtë mënyrë të ndihmojë në mbrojtjen e natyrës dhe njerëzve!
“Helmimi i paligjshëm i faunës së egër është një krim mjedisor dhe si i tillë kërkon një përfshirje adekuate për të regjistruar, investiguar dhe ndëshkuar këto aktivitete. Ky projekt do të bashkëpunojë agjencitë shtetërore ligj-zbatuese për të arritur pikërisht këtë”, thotë Jovan Andevski, menaxher i programeve të konservimit në VCF.
“Përgjatë viteve, helmimi i qëllimshëm i faunës së egër nuk ka qënë i cilësuar si një veprim i ndaluar në legjislacionin shqiptar, deri në Korrik 2019, kur ndodhën ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e faunës së egër”. Si rrjedhojë e kësaj, sot, veç të tjerave, po përballemi mungesë eksperience, njohurie dhe kapacitetesh në institucionet shtetërore, të cilat janë përgjegjëse për ta luftuar këtë fenomen. Besoj se përfshirja e institucioneve në luftimin e helmimit të faunës së egër dhe trajnimi i tyre nën projektin BalkanDetox LIFE do të japë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e njohurive dhe kapaciteteve institucionale, si dhe do të ndihmojë në krijimin e një strukture funksionale dhe një sistemi efikas për trajtimin dhe ndëshkimin e çështjeve të tilla në të ardhmen”, thotë Klea Duro, kordinatore projekti pranë Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë (AOS).
Projekti “BalkanDetox LIFE” ka një kohëzgjatje prej 5 vitesh dhe një buxhet prej 1.8 milion €, financuar nga programi LIFE i BE-së, si dhe bashkë-financim i VCF, Fondacionit MAVA, EuroNatur, si dhe Fondi Whitley për Natyrën dhe Fondi për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Efikasitetit të Energjisë për veprime specifike dhe do të implementohet në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Partnerët e projektit janë Vulture Conservation Foundation, në rolin e koordinatorit dhe Albanian Ornithological Society, Association BIOM, Bird Protection and Study Society of Serbia, Fund for Wild Flora and Fauna, Hellenic Ornithological Society, Macedonian Ecological Society, Ornitološko društvo NAŠE Ptice dhe Protection and Preservation of Natural Environment in Albania. Për më tepër, ky projekt bazohet në përvojën më të mirë spanjolle dhe mbështetet nga Junta de Andalusia dhe Ministria për Tranzicionin Ekologjik dhe Sfidën Demografike.