Forcat ruse kanë paralajmëruar se mund të përdorin armë kimike në Mariupol.
Militanti rus nga Donetsk-u, Eduard Basurin, tha se ushtarët ukrainas të Mariupol-it duhet të bllokohen në uzinën Azovstal dhe më pas të përdoren armë kimike ndaj tyre.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat ukrainase, të cilat citojnë “RIA Novosti”.
Basurin, si një nga drejtuesit e Milicisë Popullore të DNR-së, shtoi se nuk kishte asnjë kuptim të sulmonin “fortifikimet nëntokësore Azovstal në Mariupol”.
Kërcënimi u parapri nga raportimet e Inteligjencës Britanike të Mbrojtjes.
Kjo e fundit theksoi mëngjesin e 11 prillit se kishte një probabilitet të lartë që trupat ruse të përdornin municione fosfati në Mariupol-in e bllokuar.
“Përdorimi paraprak i municioneve të fosfatit nga trupat ruse në rajonin e Donetsk-ut rrit mundësinë e përdorimit të tyre në të ardhmen në Mariupol, pasi luftimet jashtë qytetit po intensifikohen”, thuhet në deklaratën e tyre në Twitter.
Gjithashtu, bombardimet ruse vazhduan në rajonet e Donetsk-ut dhe Luhansk-ut.
Trupat ukrainase zmbrapsën disa sulme, duke shkatërruar tanke, automjete dhe artileri ruse, sipas mediave vendase.
“Përdorimi i vazhdueshëm i bombave të padrejtuara nga Rusia zvogëlon aftësinë e tyre për të dalluar objektivat, ndërsa rrit ndjeshëm rrezikun e viktimave të mëtejshme civile”, vijon deklarata e inteligjencës britanike.
Armët kimike janë armë të shkatërrimit në masë dhe përdorimi i tyre është ndaluar disa herë me marrëveshje të ndryshme ndërkombëtare.