Nëse përpjekjet e Gjermanisë për të ndërmjetësuar në konfliktin me Turqinë dështojnë, BE-ja pritet të shtojë sanksionet. Sanksione pritet të vendosen edhe ndaj Bjellorusisë.
Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së diskutojnë në Berlin (27-28 gusht) për sanksionet e planifikuara kundër Bjellorusisë dhe reagimet e mundshme ndaj zhvillimeve në konfliktin për gazin natyror me Turqinë.
Sipas zyrtarëve të BE-së sanksionet e planifikuara kundër Bjellorusisë fillimisht mund të prekin rreth 15-20 persona të përfshirë në mashtrimet zgjedhore dhe në dhunën dhe shtypjen e protestave. Qëllimi i takimit është të arrihet në parim një marrëveshje politike për persona të caktuar si dhe për parimet e sanksioneve.

Si do të veprojë BE-ja kundrejt Turqisë?
Edhe ndaj Turqisë mund të merren gjithashtu masa të reja ndëshkuese, sepse Turqia vazhdon të kryejë kërkime për gaz në pjesë të Detit Mesdhe që pretendohen nga Greqia dhe Qiproja, pavarësisht paralajmërimeve nga BE-ja.
I ngarkuari i BE-së për çështjet e jashtme, Joseph Borrell, do të paraqesë mundësi të ndryshme se si mund të veprojë BE-ja kundrejt Turqisë. BE-ja ka vendosur që nga viti i kaluar një sërë sanksionesh ndaj Ankarasë, sepse i konsideron shpimet për gaz si të paligjshme.
Gjithësesi sanksionet ndaj Turqisë pritet të vendosen vetëm nëse përpjekjet e fundit të Gjermanisë për të ndërmjetësuar në konflikt dështojnë. Sikurse u tha në kuadrin e një takimi të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të BE-së në Berlin kancelarja Angela Merkel (CDU) dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mund të zhvillojnë një telefonatë tjetër të premten.

Megjithë thirrjet e shumta që konflikti të mos acarohet, ai vazhdon të përshkallëzohet. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të mërkurën (26.08.) se vendi i tij nuk do të bëjë lëshime në Mesdheun Lindor dhe i bëri thirrje Greqisë që të mos bëjë “gabime” që mund ta “shkatërrojnë”.

Vatra e re e krizës në Evropë – Greqia dhe Turqia vazhdojnë të luajnë me zjarrin
Greqia dhe Qiproja filluan të mërkurën (26.08) së bashku me Francën dhe Italinë një manovër të gjerë ushtarake në ajër dhe në det. Kurse Turqia kreu po ashtu një stërvitje detare në Mesdheun lindor së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi në Twitter se anijet luftarake turke TCG Barbaros dhe TCG Burgazada dhe destrojeri amerikan USS Winston S. Churchill zhvilluan një manovër të përbashkët. Kurse në manovrën në Qipro po marrin pjesë përveç tre avionëve luftarakë grekë F-16, tre avionë luftarakë francezë të tipit Rafale, një fregatë dhe një helikopter. Avionët operojnë nga aeroporti Paphos në Qipron perëndimore.

Mosmarrëveshja konsiderohet si tejet e rrezikshme. Dhe madje i mundur duket edhe një konflikt ushtarak midis dy aleatëve të NATO-s, pas një përplasje midis një anijeje luftarake turke dhe greke.
Kritika nga Ministrja gjermane e Mbrojtjes
Ministrja Federale e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, i kritikoi pas takimit me homologët e saj të BE në Berlin manovrat ushtarake. Ato janë “gjithçka tjetër përveçse të dobishme” – tha ajo duke iu referuar rrezikut që stërvitjet ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s “mund të çojnë pa dashje në një përshkallëzim të mundshëm të gjendjes”.

Kramp-Karrenbauer, e cila është edhe kryetare e CDU-së, kërkoi edhe një herë gatishmëri për kompromis nga të dy palët. “Ne duhet të gjejmë një pikë nga ku t’u rikthehemi bisedimeve dhe negociatave politike,” tha Kramp-Karrenbauer. Ministrja e Mbrojtjes theksoi gjithashtu se në një konflikt kaq të komplikuar është i nevojshëm “një durim strategjik për një zgjidhje politike të konfliktit.”
Greqia miraton marrëveshje me Italinë dhe Egjiptin
Parlamenti grek miratoi me shumicë po ashtu të mërkurën në mbrëmje dy marrëveshje për krijimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike (EEZ) me fqinjët e saj mesdhetarë Italinë dhe Egjiptin. Me këto dy marrëveshje të tre shtetet u njohin ishujve grekë të drejtën e përkatësisë territoriale të një zone detare përreth tyre si dhe shfrytëzimin e tyre si zonë ekonomike.