Korça është qarku më në juglindje të Shqipërisë dhe në një sipërfaqe prej 3 mijë e 711 kilometrash katrorë, shtrihen gjashtë bashki, të cilat janë në lojë për garën e pushtetit vendor, më 14 maj 2023.
Më e madhja, ajo e Korçës, tradicionalisht e majtë në zgjedhjet vendore, me një popullsi prej 129 mijë banorësh.
Socialistët do të vendosin sërish në front të betejës Sotiraq Filon, prej dy mandatesh në krye të bashkisë.
Nga ana tjetër, koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë”, si alternativë, jep ish-deputeten e djathtë Ledina Alolli.
Fabula është e thjeshtë në Korçë: Të majtët vijojnë një fushatë ku si kryefjalë kanë vijimësinë e trashëgimisë gjatë qeverisjeve të tyre.
Të djathtët – jo të përçarë në këtë bashki – theksin e vendosin në keqqeverisjen vendore të qendrës juglindore gjatë dy dekadave të fundit.
“Bashkimi” i të djathtëve në këtë bashki vjen edhe falë një tërheqjeje nga kampi i Partisë zyrtare Demokratike, ku do të kandidonte për bashkinë Gjergji Gjata, i cili si më të duhur përpara fillimit të fushatës, pa dorëheqjen e tij nga roli i përcaktuar.
Një tjetër bashki me rëndësi në qarkun e Korçës është ajo e Pogradecit, ku më së shumti synohet turizmi, falë gjeografisë pranë liqenit.
Tre do të jenë kandidatët në Pogradec, mes Ilir Xhakollit të PS-së, Zini Tolozhinës nga Bashkë Fitojmë dhe Rezart Larakut nga Lëvizja e Re.
Me investime në rritje sa i përket projekteve si shëtitorja buzë liqenit apo “rilindja urbane” në zona turistike si Tushemishti, të majtët kërkojnë të mbajnë frenat e bashkisë në dorë, por historia ka treguar se pushteti vendor në Pogradec ka ndryshuar shpesh herë.
Në Kolonjë, socialisti Erion Isai, i ardhur nga radhët e aktrimit dhe i bërë kryetar bashkie mandatin e shkuar, do të kërkojë të vijojë projektin e zhvillimit urban.
Përballë ai ka një rival të vetëm, Et’hem Lumanin, ku surpriza nuk priten për fitoren e të majtëve.
Devolli, me përballjen klasike mes të majtës e të djathtës, ku Eduard Duro përfaqëson PS-në dhe Elvis Hajdërlli opozitën “Bashkë Fitojmë” të Metës dhe Berishës, i treti që do të kërkojë të marrë vota do të jetë kandidati i pavarur Çlirim Hoxha.
Referuar të gjitha kalkulimeve, duket e pamundur që të ketë rrokadë pushteti në këtë bashki, kjo edhe për faktin se Hajdërlli rezulton i dënuar me burg në të shkuarën çka e ka penalizuar qysh në nisje të garës.
Zgjedhja e kandidatit të opozitës në këtë bashki duket se ka qenë e gabuar për shkak të përçarjes që ka sjellë mes demokratëve.
Ndërkohë, koston e saj do të ketë edhe zgjedhja e deputetit Bledian Nallbati për të qëndruar me grupin Alibeaj dhe jo me atë Berisha.
Kjo situatë duket se i ka lënë portën hapur Eduard Duros i cili mesa duket do ta ketë të thjeshtë fitoren jo veç për mbështetjen që ka fituar këto vite por edhe sepse ka përballë një kundërshtar të dobët.
Njëjtë është situata edhe në Maliq, ku investimet e fundit në sektorin e agriturizmit mund t’i japin një shtytje për mandatin Gëzim Topçiut të socialistëve.
Përballë, ai do të ketë Alfred Gegën e koalicionit Bashkë Fitojmë, i cili shpresën e ka të mbledhë gjithë votat e opozitës, kundër pushtetit të të majtëve.
Teksa e fundit, por shumë më interesante si bashki në qarkun e Korçës, është ajo e Pustecit, e njohur ndryshe edhe si një bashki e minoritetit maqedonas në Shqipëri.
Dy, do të jenë rivalët, mes Pandi Janit të koalicionit Bashkë Fitojmë dhe Pali Kolefskit nga Partia Socialiste.
Me një fushatë gjysmë shqip e gjysmë maqedonisht, gara aty duket e hapur, me të dy kandidatët në shanse për t’u zgjedhur.
Do të jetë qarku këtë herë sërish një 6 me 0 për PS-në? Apo opozita, e udhëhequr ekskluzivisht nga dyshja Sali Berisha-Ilir Meta, do të mundet të rrëmbejë pozita në juglindje të vendit?
Më 14 majit, e vendosin mbi 200 mijë qytetarët e këtij qarku, të ndarë në gjashtë bashki.