Kohëzgjatja e tij në krye të Teatrit Kombëtar është po aq sa e qeverisë në pushtet. Dy mandate për zotin Çuli në krye të punëve të menaxhimit të institucionit kryesor të artit skenik dhe, siç do të pohonte vetë ai pak ditë më parë, katërvjeçari i dytë ka qenë me probleme.
Të pakta kanë qenë edhe daljet e tij në këtë mandat të dytë. Zgjodhi të shfaqej në një reportazh të gjatë me gazetaren Elsa Demo, ku përmes një turi të filmuar nga kamera shfaqte gjendjen e mjerueshme të teatrit, të lënë në fatin e pamëshirshëm të kohës, plasaritje muresh e lagështi dhe, një theksim tek rreziku i azbestit- materialit kancerogjen prej kohësh i papërdorshëm në ndërtimet bashkëkohore.
Kjo do të qe alibia e tij për koherencë, kur tre vite më pas qeveria do të hartonte një projektligj të posaçëm për shembjen e godinës së vjetër dhe hapjen rrugë të ndërtimit të së resë, përmes një partneriteti publik-privat me kompaninë e zgjedhur pa tender, Fusha shpk.
Hapja e godinës alternative të arteve skenike “ArtTurbina” bëri që drejtori t’i vinte drynin godinës më shumë se tetë dekadash e vjetër, për t’u strehuar me trupën atje. Pa një godinë të tij zyrtare, Teatri Kombëtar organizoi Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove, ndërsa nga godina e vjetër vijonte qëndresa e grupimit me artistë e aktivistë për ta mbrojtur trashëgiminë.
Çuli i zgjidhte fjalët duke shmangur përdorimin e shembjes dhe duke përdorur termin “ndërtim”, ndonëse që të ngrihej ajo që e quante “mundësi e artë” për komunitetin e profesionistëve të Teatrit Kombëtar, do të duhej që më parë të rrënohej e vjetra.
Ai nuk kishte mall për godinën që “i kishte futur reumatizmin”, një fjali e ngjashme me ato që zyrtarëve të qeverisë dhe autoriteteve lokale, që trumbetonin problematikat dhe mungesat e vlerave arkitekturore, historike e kulturore të godinës. Theksimi i funksionit “dopolavoro”, ishte përpjekje për ta legjitimuar, pa përmendur rrethin kulturor “Skënderbeg”, kinema “Kosova” apo skenën e krimit të gjyqit të parë komunist, që dënoi me vdekje dhjetëra intelektualë.
Me ‘dopolavoro’ sikur kërkohej nxitja e puritanëve që janë të gatshëm të djegin në turrën e druve çdo gjë që ka lidhje me shthurjet e kësaj bote, ku shthurje ishte argëtimi i ushtarëve italianë gjatë pushtimit dhe luftës. Sa për kujtesën e brezave të aktorëve e regjisorëve që hodhën themelet e teatrit shqiptar mbi atë skenë, thuhej se për ta ruajtur nuk kishte nevojë për materien, për skenën, për godinën e teatrit.
E reja, modernia, luksozja e me kushte për artistët që luanin aty, a thua se teatri ishte domein vetëm i komunitetit të interpretuesve dhe regjisorëve dhe jo i publikut që shkon të ndjekë shfaqje, jo i qytetarëve që paguajnë taksa në buxhetin e shtetit, që shkojnë për institucione publike si Teatri Kombëtar.
Vëniet skenike në skenën alternative zgjatën pak, për një vit dhe si në një përmbushje karmike, pandemia bëri që Teatri Kombëtar të kalonte një vit pa shfaqje në skenë.
“Teatri Kombëtar nuk ka dhënë shfaqje në eksterier. Gjithë kjo periudhë, prishet apo jo teatri ka ndikuar në numrin e spektatorëve. Ky katërvjeçar për Hervin Çulin dhe Teatrin Kombëtar ka qenë një katërvjeçar me probleme, padyshim që kjo ka ndikuar në performancë.
Shifrat për teatrin online, janë të paimagjinueshme. Kemi pas kalendar artistik online; me poezi dhe intervista”, do të thoshte vetë drejtori në një konferencë për mediat, me rastin e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove, që do të organizohet gjithaq online.
I quante ‘gomarë’ aktorët protestues në mbrojtje të godinës, e cila u shemb ndaj të gdhirin e 17 majit e madje kundërshtonte thirrjet e Europa Nostra për mos shembjen e teatrit, duke thënë se ata nuk e kanë parë godinën nga brenda. Paradoksi ishte se Teatri Kombëtar u strehua në një godinë të restauruar nga rrënojat si ajo e Institutit të Hidrometeorologjisë, një gërmadhë në mes të qytetit për vite të tëra, sot “ArTurbina”.
Por në të njëjtën kohë , i gjendur në realitetin e ri të shkaktuar nga pandemia që paralizoi çdo formë jete urbane, Çuli do t’i drejtohej edhe kryeministrit me një letër të hapur, si e para divergjencë ndoshta në unisonin e zërave se godina e pavlefshme, madje e rrezikshme me materiale kancerogjene do duhej shembur.
“Z. Kryeministër, asnjë sakatim nuk ngjason me thyerjen e shpirtit. Mjeku i vetëm i shpirtit është arti dhe kultura”, i drejtohej kreut të qeverisë Çuli, ndërsa bënte thirrje për gjetjen e formave të reja artistike për të ushqyer dhe edukuar ‘shpirtrat e ndrydhur në ngujim’.
Drejtori i Teatrit rendiste punën që po bënte institucioni, adminsitrator i të cilit është, me krijimtari virtuale, ku e gjitha sillej rreth asaj që e quante spektakël disa minutash në rrjetet sociale. Për këtë, kërkonte financim të qeveris për mbështetjen e produksioneve të tilla, sepse siç i parashtronte ai kryeministrit “artistët veç telefonit dhe karikuesit (ndonjëri edhe laptop) nuk kanë asnjë mjet tjetër”.
I merakosur për cilësinë e produksioneve online, për shkak të pamundësie teknike “ne na mungojnë studiot e post-produksionit që merren me montimin me cilësi të lartë artistike të imazhit, muzikës, titrimit, e të tjera e të tjera. Artistët edhe internetin e kanë të dobët, e nuk kanë mundësi të paguajnë operatorët për një internet më të fuqishëm që do të na siguronte provat në grup. Dhe ndoshta muajin tjetër nuk do kenë para të paguajnë as atë që kanë”, vijonte Çuli.
Drejtori besonte se qeveri i kishte mundësitë të mbështeste iniciativën e Teatrit Kombëtar, të “Nuk bëhet fjalë thjeshtë për zhbllokimin e disa fondeve, bëhet fjalë për vullnet, për vizion.”, thoshte drejtori i TK-së. “Na zhbllokoni disa fonde nga zërat e projekteve artistike. Bllokimi total i veprimeve financiare po na merr frymën.
Nuk po them për prokurimet, por për disa zëra artistike, që të kemi mundësi të kontraktojmë disa profesionistë që nuk i kemi në institucionet tona të na ndihmojnë në kohë dhe cilësi në këtë udhëtim ndryshe”, thoshte ai, duke kërkuar paketë kulturore. Kreu i qeverisë do t’i përgjigjej shkurt.

“Ai më tregonte të mbështesim Teatrin, më tregonte edhe që kishte larë shumë duart. Të mbështesim tani teatrin që të shkojnë të gjithë të marrin koronavirus”, shprehej Rama. Kështu panorama ishte e qartë nga të dyja kahet, se shfaqje fizike nuk do të kishte, por edhe ato online rrezikonin të mos realizoheshin për mungesë mjetesh teknike.
Por me verën dhe ardhje e vjeshtës, Teatri i Çulit nuk organizoi asnjë shfaqje në mjedise të hapura, edhe kur teatro më të vegjël apo produksione individuale e gjetën shtegun për të shkuar tek publiku, ku festivale teatro si ai i Korçës apo Festivale Filmi si TIFF u realizuan dhe ku nuk mungoi as prania e ministres së Kulturës, ku në të njëjtën godinë të ArTurbinës, Kiço Londo i hapi dyert për shfaqje, duke zbatuar protokollet. Edhe në botë, teatrot nisën të hapeshin pavarësisht pandemisë dhe pavarësisht protokolleve anti-covid, që i reduktoi sallat në 30 përqind të kapaciteteve.
“Ne kemi marrë një urdhër nga qeveria shqiptare, që nuk mund të rrimë më shumë se dhjetë veta bashkë. TK nuk mund të ngjit monodrama, s’mund të bëjmë sikur bën një shfaqje. Ne s’mund të japim një shfaqje pa dekor, duhen të paktën 20 aktorë”, argumentonte Çuli, ndërsa dukej se vizioni i tij, të cilin ia shpaloste muaj më parë kryeministrin gjeti dakordësinë e qeverisë, në Festivalin e Mbarëkombëtar të Teatrove, që nis më 23 shkurt ,titulluar “Moisiu-On”.
Duket se drejtori Çuli e ka përqafuar realitetin e ri dhe kalimin e teatrit në botën virtuale, si mendësi ndryshe. Drejtori do të shpaloste edhe planet në vijim për 2021, ndërsa masat anti-covid kanë sjellë kufizime në orare për lëvizjen.
“Kemi menduar për këtë vit, edhe me vendim bordi kemi miratuar shfaqje për eksterier. Pavarësisht dëshirës, nuk është e lehtë që shfaqjet e madhe të bëhen në eksterier”, thoshte drejtori i TK-së.
Kur fliste për lagështinë dhe kushtet e këqija të një teatri të degraduar, që edhe duke mos qenë inxhinier a arkitekt e mori të mirëqenë se nuk ristrukturohej, por duhej të ndërtohej një i ri, Çuli nuk e kishte menduar se e ardhmja e mandatit të tij të dytë në drejtimin e Teatrit Kombëtar do ta ballafaqonte me një realitet të paimagjinueshëm, pa shfaqje, pa skenë, pa publik.
Nuk do të doja të jetoja sikur teatri, pas 25 vitesh, të mbetet si sot, thoshte Çuli. Dy vite pas shpërnguljes në godinën e “ArTurbina”, komuniteti i aktorëve dhe regjisorëve dhe bashkë me administratorin e institucionit, ende presin godinën e premtuar. Gati një vit pas shembjes së Teatrit Kombëtar kanë ndodhur shumë, tërheqja e qeverisë nga tenderi pa garë, tërheqja e firmës Fusha, pasi e fitoi garën e çelur në bashki, premtimi i kryebashkiakut për një godinë të re, me kredi…por ende asnjë gjurmë e teatrit të ri.
Në një intervistë të pak muajve më parë, Çuli pranonte se kishte shijuar si drejtor katër vjeçarin e parë, ndërsa ky i dyti, kishte qenë katër vjeçar hallesh, që nuk e kishte lënë të shijonte vërtet politikën kulturore e artistike. Ama Teatri Kombëtar, të paktën godina e vjetër por edhe të gjithë zëra për mbrojtje a shembje të saj qenë konsum i pastër politik.~SI~