Një ndër bashkëpunëtoret më të afërta të Edi Ramës në bashki, opozitë dhe më pas qeveri si katër vjet Ministre e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, për herë të parë është në mëdyshje nëse do të futet në listën e kandidatëve për deputet zgjedhjet e 25 Prillit, kur mbeten edhe dy ditë nga afati limit i depozitimit të emrave në KQZ.
Kryeministri Rama do të publikojë listën të hënën në orën 18.00 ndërsa negociatat vijojnë për emra të rëndësishëm ndër vite në këtë parti, të promovuar direkt prej tij. Një ndër ta edhe Kodheli.
Mimi Kodheli aktualisht koordinon fushatën në emër të PS bashkë me Pandeli Majkon dhe Elio Hyskon në njësinë numër 5 të Tiranës të ndarë në zona të caktuara. Kodheli mbulon zonën e Liqenit te Thatë.
Burime nga PS-ja kanë konfirmuar deri tani emrin e Pandeli Majkos dhe Eljo Hyskos, ky i fundit edhe për shkak të drejtimit që ka në FRESSH, por emri i Kodhelit nuk është vendosur ende nëse do të jetë në Tiranë, qark tjetër apo nuk do të përfshihet fare në listë.
Mimi Kodheli aktualisht ndan edhe detyrën e zëvendës-presidentes së Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Ish-ministrja e Mbrojtjes është kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme dhe kryetare e Delegacionit parlamentar shqiptar në Asamblenë e NATO-s.
Angazhimi i saj kryesisht me ndërkombëtarët është i ngushtë, ndaj dhe vendimi për të, duket se nuk do të jetë i lehtë, pa marrë parasysh edhe bashkëpunimin e dikurshëm mes saj dhe Ramës që duhet thënë se është zbehur prej kohësh.
Në dilemë nëse do të përfshihet në listën e Tiranës, apo në ndonjë qark tjetër është edhe Elona Gjebrea.
Gjebrea koordinon fushatën një njësinë numër një në Tiranë bashkë me Alqi Bllakon.
Burimet thonë se emri i këtij të fundit është më i mundshëm përballë saj për tu futur në një vend të sigurt në listën e Tiranës.
Alqi Bllako është aktualisht Drejtor i Përgjithshëm i AKUM i varur nga Bashkia e Tiranës.
Elona Gjebrea është angazhuar prej vitesh në strukturat e PS-së Tiranë dhe ka qenë zv-ministre e Brendshme për një kohë të konsiderueshme.
Ndërkohë ka dhënë dorëheqjen Vasilika Hysi një tjetër kontributore e PS-së kryesisht për reformën në drejtësi, emri që drejtoi listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 2009-ës, e katapultuar direkt nga Rama, për t’ia lënë radhën, po me vendim të Ramës, “nxënëses” së saj Etilda Gjonaj aktualisht ministre e Drejtësisë, e cila pritet të kryesojë listën e Tiranës.
Largimin e Hysit nuk e ka pritur mirë as zv-kryeministri Erion Brace, i cili duke komentuar edhe largimin e Besnik Bares, shkruan në Facebook se “Bare dhe Hysi kanë qenë dy kolegë të ndershëm dhe të pakorruptueshëm”
Me vënien në diskutim të Mimi Kodhelit, Elona Gjebreas, tërheqjen e Vasilika Hysit, gra që kanë përfaqësuar PS-në ndër vite dhe të promovuara direkt nga Rama, kreu i ekzekutivit sa duket ka vendosur t’i zëvendësojë (apo të mos u japë më rëndësinë që u jepte) me të tjera emra grash nga jashtë partie kryesisht me mbështetje në popull si mjekja Najada Çomo që u bë e njohur për shkak të pandemisë apo inxhinierja Luljeta Bozo.
Rama ka promovuar ndërkohë ministret aktuale pa ndonjë kontribut të zellshëm në strukturat e PS-së, ndryshe nga ato që “po lirojnë radhën”. (SI)