Nga Klodian Tomorri
Ne nëntor te vitit te kaluar, Ministria e Financave i propozoi qeverise projektbuxhetin e vitit 2021, bashke me tabelat shoqëruese te projeksioneve makrofiskale. Ne dokument, ekipet teknike ne MFE parashikonin qe për vitin 2021, arka e shtetit te mblidhte 479 miliardë leke te ardhura ne total, nga te cilat 143.5 miliardë do te vinin nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, taksa me e rëndësishme e buxhetit.
Qeveria e miratoi draftin pa ndryshime duke ja përcjelle Kuvendit për votim. Pas këtij momenti, mbi buxhetin ka nisur nje masakër e paprecedente duke e shndërruar ligjin me te rëndësishëm te vendit në një paçavure fiskale, ku fusin duart të gjithë.
Fillimisht ishte Komisioni Parlamentar i Ekonomisë. Ne mënyrë absurde, Komisioni e rriti planin e TVSH-se me 4.6 miliardë lekë ose rreth 40 milionë euro te tjera, a thua se paratë do te binin nga ajri. Por nuk mbaroi me kaq. Tre ditë më vonë, Klotilda Bushka, deputete e Komisionit të Ligjeve, propozoi një amendament për të rritur edhe me 500 milionë lekë të tjera planin e te ardhurave nga TVSH. Halli i Bushkës, e cila nga projeksionet fiskale kupton aq sa shefi i saj, ishte që të gjente një shteg për ti dhënë 500 milionë lekë shtesë incineratorit të Tiranës.
Dhe shtegun e gjeti duke bërë shtesë mbi shtesën e të ardhurave.
Në total, dy shtesat në Parlament e rritën planin e TVSH me 5.1 miliardë lekë ose 42 milionë euro. Por marrëzia nuk do të ndalej as me kaq. Tre dite më parë, qeveria e rriti sërish planin e TVSH-se, me 3.4 miliardë lekë të tjera. Këtë herë për të financuar KQZ-në për projektin e kontrollit biometrik te votuesve. Bashke me këtë shtesë, në total plani i TVSH është rritur me 8.5 miliardë lekë ose 70 milionë euro krahasuar me projeksionin teknik të Ministrisë së Financave.
Ky nuk është me buxhet.
Projeksionet fiskale te vendit tani ngjasojnë me shume me llastikun e benevrekëve, që për koincidencë edhe kryeministri i vesh shpesh në daljet publike, madje dhe ato formale. Kur është në nevojë, qeveria e shtrin dhe e shtrin llastikun e të ardhurave, njësoj si ai që do të ajrosë hallatet. Por marrëzia fiskale nuk ajroset. Herët e vone, llastiku do të këputet dhe buxheti do të dale cullak, ashtu siç është në të vërteteë
Kur kjo të ndodhë, të gjithë ne do të kujtojmë historinë e defterëve te Çiçikovit. Ashtu si qeveria jonë, që rrit planin e të ardhurave duke shpresuar t’i bien para nga qielli edhe Çiçikovi i Gogolit mendonte se do te fitonte pasuri duke blerë shpirtrat e njerëzve të vdekur.
Ka vetëm një ndryshim.
Ne nuk kemi vetëm një Çiçikov, por qindra të tillë dhe fatkeqësisht të gjithë këta po fusin duart të buxheti duke ajrosur hallatet e marrëzisë fiskale.