Nga Alfred Lela
Erion Veliajn, aka lali Erin, e njohim të gjithë. Oreksi i tij publicitar është i panginjshëm, dhe kjo e vendos vazhdimisht në qendër të syve dhe veshëve të publikut. Për të kuptuar raportin e tij me median, mjafton një skanim ditor dhe kupton se ai është shumë rrallë, për të mos thënë i paprekur fare, nga shumica e tyre. Sa i takon kësaj mund të thuhet se kryebashkiaku i Tiranës është politikani më i fuqishëm mediatikisht në vend.
Nëse kryeministri është politikisht më sunduesi, pasardhësi i tij në krye të punëve të Tiranës ka pushtetin mediatik më domethënës. Rreth Veliajt ka një konsensus heshtjeje, një lloj omerte mediatike.
Ka dy arsye për këtë: e para lidhet me serinë dhe rëndësinë e favoreve dhe benefiteve që pronarët mediatikë mund të marrin në departamentet e bashkisë, me bekimin direkt të kreut të saj. E dyta lidhet me gatishmërinë mitike të vetë Veliajt për ‘t’iu gjendur’ njerëzve të medias, edhe kur nuk janë pronarë, por kanë akses dhe zë, me të gjitha hallet komunale. Që janë të shumta, sepse në fund të ditës, jeta e një banori të kryeqytetit lidhet me bashkinë dhe degët e saj. Veliaj është i famshëm për gatishmërinë deri në detaje dhe shpejtësinë për t’u kryer punë njerëzve të medias. Në këtë kuptim Misi i parë shqiptar e ka krejt të drejtë konceptin e ‘punëmbaruarit’ për të.
Pjesa tjetër, si ata që e kanë kundërshtar politik, si ata që nuk e durojnë dot, thjesht për faktin se nuk e honepsin, apo ata që nuk pëlqejnë drejtimin e punëve të bashkisë, hidhen në atë që quhet media sociale, ku mbretëron Facebook-u, rrjeti ku postohen që nga vicklat më të parëndësishme të vanitetit, deri te ankimet funebre anti-politike apo dhe lajmërim-vdekjet.
Këtu Erion Veliaj ndeshet me opozitën e vet, të njëmendtë apo të fabrikuar qoftë.
Një digë e re ngrihet tashmë para kryebashkiakut të Tiranës në formën e Kodit zgjedhor, e cila parashikon kufizime të kujdesshme dhe të ndjeshme të aktivitetit të zyrtarëve publikë në kuadër të fushatës zgjedhore. Një pjesë e mirë e tyre hyjnë në fuqi katër muaj para datës kur mbahen zgjedhjet. Veliaj e ka vazhduar i pashqetësuar veprimtarinë e tij duke kryqëzuar tek ajo dy role: atë të kryebashkiakut me mandat shtetëror dhe publik dhe atë të të deleguarit partiak dhe politik, si një prej drejtuesve të fushatës së PS për Tiranën.
Këto dy role ndeshen shumë shpesh, dhe duhet thënë se ndarja e njërit nga tjetri nganjëherë është kirurgjikal. Kjo vetëm në rastin nëse kryebashkiak nuk do të ishte Erion Veliaj. Ky i fundit e bën mjaft të lehtë ndarjen dhe identifikimin e veprimtarisë komunale dhe asaj politike. Këtë ka shfrytëzuar PD që e ka paditur Veliajn, dhe KQZ që e ka gjobitur kreun e bashkisë. Vendimi i tij për të apeluar vendimin, por edhe arsyetimi që i ka bërë këtij hapi dëshmon, në fakt, jo vetëm shkeljen e Veliajt, por edhe gjurmët e trasha të saj. Gjuha e përdorur në reagimin ndaj vendimit të KQZ është mot-a-mot ajo që përdor Veliaj thuajse në të gjitha daljet publike ku përfaqëson bashkinë.
Duke harruar në proces një gjë të rëndësishme. Ai është kryebashkiaku edhe i atyre banorëve të Tiranës që nuk kanë votuar për të, dhe shërbimet që ai ofron paguhen me paratë e taksave, jo vetëm të socialistëve, por edhe të opozicionit, qofshin këta demokratë, ballistë apo të pavarur.
Veliaj është në të drejtën e tij ta shajë Lulin dhe Dulqinjën e Rrogozhinës, por vetëm në kuadër të fushatës së PS, me stemën dhe tagrin e kësaj force politike, jo gjatë promovimit të punëve publike, me banerat e bashkisë në shpinë, për punë që kryhen me paratë e taksapaguesve. Të të gjithëve. Po. Edhe të atyre që besojnë te Luli dhe dulqingratat e tij.