Në mbledhjen e sotme të Komisionit Shtetëror të Zgjedhje, Ilirjan Celibashi u pyet edhe mbi çështjen “Doshi”.
Celibashi është shprehur se të gjithë këtyre pyetjeve do tu përgjigjen në momentin që do të kenë listën e plotë të kandidatëve.
“Për të gjitha rastet që kanë të bëjnë me kandidatë të caktuar, do flasim kur ti kemi kandidatët. Nuk shoh arsye për diskutime hipotetike. Takimet me ambasadoren amerikane kanë qenë si me ambasadorët e tjerë, dhe nuk kanë pasur trajtime të veçanta për aspekte të veçanta të përgatitjes së këtij procesi. Do të duhet të presim datën 8. Ajo që mund të them me siguri të plotë është që KQZ do ketë gjithë vëmendjen ndaj çdo rasti të evidentuar publikisht ose jo, për të pasur një vendimmarrje në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor”, është shprehur Celibashi.
Kujtojmë që PSD-ja pjesë e së cilës është edhe deputeti Tom Doshi, është regjistruar në zgjedhje me kryetar Engjëll Bejtajn, por nuk dihet ende se kush prej tyre do të garojë në zgjedhje.
Tom Doshi depozitoi më 9 shkurt kërkesën për regjistrim të PSD-së në zgjedhje, që u pa si “sfidë” ndaj ambasadës amerikane. Një ditë më herët Yuri Kim përmes një postimi në “Twitter” u rikujtonte qytetarëve vendimin e DASH që futi Doshin në “listën e zezë” duke theksuar se shqiptarët meritojnë më shumë.
KQZ kishte vënë në dijeni PSD-në të plotësonte dokumentacionin, pasi nuk kishte të përcaktuar emrin e kryetarit të partisë, duke i kërkuar ta ridërgonte si dokument. Në kërkesën e dytë rezultoi se kryetari “de juro” i PSD-së ishte Engjëll Bejtaj.