Kryeministri Edi Rama, ka lajmëruar një vendim për të vaksinuar fillimisht të moshuarit të cilët janë gjithashtu personalitete të vendit.
Ky vendim ka sjellë reagime të shumta në Shqipëri.
Megjithatë, duket se autoritetet nuk do të tërhiqen nga kjo nismë e Edi Ramës dhe ditën e diel pritet të nisë vaksinimi i personaliteteve.
Një nga personat e përzgjedhur si personalitet, që duhet vaksinuar sa më parë, është Alfred Moisiu, ish president i Republikës së Shqipërisë.
Ish presidenti, duket se e ka pritur mjaft mirë këtë vendim, për t’u vaksinuar para të gjithë të tjerëve.
“Po, më ka njoftuar, ditën e diel në orën 09:30 për të bërë vaksinën te stadiumi Air Albania. Duket se kanë vendosur drejt, pasi mosha jonë, sikur thotë populli një “saçme kërkon”. Është moshë që e përballon me vështirësi një sëmundje të tillë. Mendoj që është vendim i drejtë. Populli është i padisiplinuar, rrinë pa maska, që është një mjet i domosdoshëm për t’u mbrojtur. E dyta distanca nuk mbahet. Shikoj edhe veprimtaritë politike që shkelen me të dyja këmbët, është shembull shumë negativ, duhet dënuar me rreptësi” mësohet të ketë deklaruar Moisiu.