Sali Berisha i ka kthyer një përgjigje intervistës së një nate më parë ku Fatos Nano përcolli disa deklarata të forta lidhur me rolin e berishës gjatë viteve të tranzicionit.
Ish kryeministri i është përgjigjur me një video ku ish-kryesocialisti Fatos Nano në një situatë të tensionuar politike para shumë vitesh kritikonte kreun e qeverisë Edi Rama.
Në videon e shpërndarë nga Berisha, Nano shprehet se e ka marrë Ramën nga Parisi dhe e ka futur në politikë. “Miq, fajin e ka Saliu”, shkruan ai krah videos.
Çfarë thoshte Nano disa vite më parë për Edi Ramën: E kam marrë me thonj të paprerë si refugjat nga Parisi dhe e kam sjell të bëjë pjesë në ekipet tona qeverisëse. E nxora nga bataku si refugjat dhe shitës ikonash të vjedhura në kohën e Saliut dhe e bëra ministër dhe kryetar të bashkisë më të madhe të Shqipërisë.
Mbrëmjen e djeshme, Nano i pyetur për njohjen me Sali Berishën tha se ai hyri në politikë si intelektual humanist, si kardiolog, por në momentin që mori drejtimin e PD u kthye në kafshë politike.
Referuar 21 Janarit, Fatos Nano tha:
“Berisha thotë shumë gjëra për shumë gjëra, përfshirë dhe 21 Janarin, por unë kam të dhënat e kohës, të dhëna nga njerëzit që kanë qenë dëshmitar në zyrën e tij kur ai është marrë ‘in persona’ me mbajtjen time në burg. Dhe me burgosjen e liderit të opozitës, ai u kthye në kafshë politike.
Politikanët janë kafshë politike. Dhe kur marrin vendime të tilla nuk mund të mos u thuash kafshë politike. Në 21 Janar, ai mbikëqyri, drejtoi dhe u përpoq të mbulonte vrasjen e 4 njerëzve të pafajshëm përballë një proteste masive popullore.
Janë të njohura nga shumë njerëz faktet për këtë gjë dhe veçanërisht sjellja e Berishës përballë fakteve. Dhe unë jam i detyruar të them që në 21 Janar 2011, Sali Berisha pushoi së qeni politikan dhe mbeti pjesa tjetër…. që po e dëshmon tani me qytetarin dixhital. ”.