A është blerë heshtja e PD-së? Këtë pyetje ngre ish-kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli në lidhje me përgjimet e prokurorisë italiane për Rezart Taçin, ku përmendet emri i zv.kryeministrit shqiptar për kalimin e parave. Ai e konsideroi skandaloze heshtjen e PD-së, në një kohë kur prioritare duhet të ishte lufta kundër “armikut numër një të shqiptarëve”.
“Pse hesht PD? Partia Demokratike e ka mbyllur gojën për zëvendëskryeministrin e kapur në përgjimet e prokurorisë italiane se do të ndihmonte për pastrim parash. Një heshtje skandaloze për një parti që reagon edhe për rojet e bashkive. Ku përfundoi lufta kundër “armikut numër një të shqiptarëve”? A është blerë heshtja e PD-së?”.
Përgjimet e Prokurorisë italiane u bënë shkak i përplasjeve në Kuvend mes deputetit demokrat Ervin Salianji dhe atij socialist Erjon Braçe. Ky i fundit, mohoi të kishte qenë kryeministër në kohën kur përmendet në dokument. “Në dokumentin që zotëroj të plotë më 18 tetor 2021 nuk kam qenë zv/kryeministër”, u shpreh Braçe, duke mohuar akuzat.
Ndërkohë, i dyshuari duket se është edhe zv.kryeministri Arben Ahmetaj pasi sipas faksimiles së publikuar, përgjimi i datës 18 tetor 2021 përkon me Ahmetajn si ushtrues i këtij funksioni.