Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, është pyetur mbrëmjen e sotme nëse në listat e kandidatëve për deputetë do të jenë Arben Imami, Ilir Rusmali, Ridvan Bode dhe emra të tjerë që kanë pasur peshë në PD dhe që nuk janë më në gjirin e kësaj partie.
Topalli tha se asnjëri nga këto figura nuk janë pjesë e listave të kandidatëve, ndërsa tregoi se emrat që ajo do sjellë janë jopolitikë.
Ajo deklaroi në emisionin “Log” se me këta persona ka pasur kontakte, por theksoi se ata kanë vendosur që të përkushtohen në profesionet e tyre.
“Imami, Rusmali, Bode, janë ndër kolegët e mi më të aftë që ka pasur politika. Janë njerëz që nuk i gjen në skenën politike as majtas as djathtas për shkak të kapaciteteve të jashtëzakonshme, jo vetëm për eksperiencën por për vendimet e forta, dhe bagazhin politik që ato mbartin.
Unë i takoj, i dëgjoj me shumë vëmendje, por në listat që ne po përpunojmë nuk ka politikanë karriere, janë emra jopolitikë. Nëse flasim për ndryshim duhet të sjellësh dhe figura që sjellin ndryshim. Ato kanë zgjedhur që tashmë të jenë në profesionet e tyre, unë do të isha e nderuar nëse do të kisha në listat e partisë emra të tillë“, nënvizoi ish-kryeparlamentarja.