Debati i fortë te studio e Ylli Rakipit vazhdoi mes Arjan Currit dhe Bujar Nishanit, ish-president Republike, në lidhje me deklaratën e ambasadores amerikane Yuri Kim e cila tha prapë te “Zëri Amerikës” se kemi fakte korruptive për ish-kryeministrin Berisha.
Arjan Curri tha që nëse Berisha nuk tërhiqet nga kjo betejë për rrëzimin e Lulzim Bashës, atëhere ata do fusin në lojë SPAK-un.
Ndërkohë Bujar Nishani, tha se përsa kohë ka punuar ministër i brendshëm dhe president Republike, nuk ka patur asnjë fakt për Berishën për shkelje ligji.
Por Curri insistoi se amerkanët për momentin janë me Bashën.
Pak më përpara Arjan Curri foli për përplasjen e Lulzim Bashës me Sali Berishën. Curri deklaroi se sot “ka filluar lufta” dhe se të dy janë “të plagosur për vdekje”.
Ja si e shpjegon pedagogu, luftën në PD:
“Në orën 18:00 filloi lufta. Nuk e kuptuan shumica, që ne e kishim për luftën e brendshme. Ne flasim edhe nëpërmjet rreshtave.
Tani filloi lufta e të gjithëve kundër të gjithëvë. Nuk janë vetëm këta të dy.
Aristoteli para 2600 vitesh tha që rendi natyror është lufta e të gjithëve kundër të gjithëve. Kjo është gjendja natyrore e njeriut në shpella.
Sot, situatën në PD e shoh në gjendje natyrore. Basha filloi luftën të shpëtojë kokën e vetë. Berisha, filloi luftën sapo i ishte ngrënë koka e vetë. Ka ardhur PD në gjendjen natyrore, atje ka një mallkim, të gjithë flasin sapo ikin.
Përveç njërit, që foli pa u dekapituar totalisht, Saliu. Saliun nuk e vranë përfundimisht.
Frojdi thoshte që mashkulli bëhet burrë ditën që i vdes babai. Basha e ka këtë shans. Jung tha nuk ka nevojë ta vrasim biologjikisht, por mjafton shpirtërisht. Lulzimit i erdhi në dorë të bëhej burrë, këtë dhuratë ja dha Amerika. I tha Amerika, ose ti, ose ai, se ky kotec me dy gjela nuk shkon.
Sipas informacioneve tona, Basha kërkoi garanci sepse babai nuk vritej kollaj. Siç e tregoi realiteti nuk e vrau dot. Kemi një bir që do të vrasë babain, që doli e pasuksesshmë, sepse Berisha është në parlament sot.
E dyta, Berisha në rikthimin e kësaj goditje, babai rikthehet që ta mbysi, ta gllabërojë. Kjo është linja trashëgimtare, në politikë dhe familje.
I thashë Berishës, donte të të vriste, por nuk të vrau dot, por as ti nuk po e gllabëron dot.
Të dy të plagosur për vdekje, e kanë futur PD-në në një agoni, që do të zgjasë derisa të vdesë njëri.
Berisha ka bazën e vet, Basha ka armët e tij, institucionet brenda partisë. Ka kryesinë dhe Këshillin Kombëtar“, tha Curri.