Kryetari i Lëvizjës Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi ka komentuar sloganin që është krijuar në Serbi pas pushtimit të Afganistanit nga talebanët. Fjalët “radhën e ka Kosova”, nga disa figura publike në Serbi, Abazi i ka quajtur si kriminale, raporton gazeta DRITA.
Ai ka përmendur disa nga figurat që kanë shprehur hapur dëshirën për pushtimin e Kosovës nga ana e Serbisë. Abazi gjithashtu tha se projekti i “Ballkanit të hapur”, vetëm sa i shton oreksin Serbisë për pushtim dhe e vendos Shqipërinë nën dominimin serb.
Abazi ka shtuar se Shqipëria dhe Kosovë duhet që të kenë bashkëpunim të fortë në çdo fushë, pasi me një Serbi që nuk shkëputet nga e kaluara dhe e tashmja kriminale nuk mund të ketë “Ballkan të hapur”, përcjell gazeta DRITA.
Postimi i Plotë:
Ndërkohë që pamjet e njerëzve që po përpiqen të largohen nga Afganistani trondisin botën, në Serbi fërkojnë duart nën sloganin që po kthehet në refren: “radhën e ka Kosova”, që nënkupton rikthimin e Serbisë në Kosovë pas një dobësimi të ShBA-së. Në vijim disa shembuj nga deklaratat publike në Serbi, që po i gëzohen rikthimit të Talibanit dhe largimit të ShBA-së nga Afganistani:
1. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Serbisë dhe kryetari i komisionit të Serbisë për të pagjeturit, Veljko Odaloviç, deklaroi se Prishtina duhet të mendohet sepse radhën mund ta ketë Kosova.
2. Dragan Dobrashinoviçi, drejtor i Qendrës për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut dhe president i Koalicionit për Financa Publike: “radhën e kanë shqiptarët e Kosovës”
3. Regjisori serb Boris Malagurski, ka thënë se radhën e ka Kosova.
4. Predrag Djokic, analisti serb ka shkruar se herës tjetër e ka radhën Kosova.
5. Vojislav Sheshel, deklaroi se radhën e ka Kosova.
Serbia nuk ka ndryshuar, dhe me projekte si “Ballkani i Hapur”, që e vendosin Shqipërinë nën dominimin serb, vetëm sa i shtohet oreksi.
Aleanca jonë me NATO-n duhet përkthyer në rritje të konsiderueshme të kapaciteteve ushtarake të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe bashkëpunimin e ngushtë Shqipëri-Kosovë në çdo fushë. Me një Serbi që nuk shkëputet nga e kaluara dhe e tashmja e saj kriminale, nuk mund të ketë Ballkan të Hapur.
Gazeta Drita#DRITA