Ish-deputet dhe ministër në kohën e qeverisjes së PD, Sokol Olldashi humbi jetën në aksident rrugor në nëntor të vitit 2013.
Pas 8 vitesh, në prag të zgjedhjeve parlamentare, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, që drejton paralelisht fushatën e PS në Tiranë, (aty ku edhe gara është më e fortë), mori vendimin për t’i vënë një rruge, emrin e Olldashit.
Rivaliteti Olldashi-Basha u theksua ndjeshëm kur në zgjedhjet e 2013-ës ata garuan përballë njeri tjetrit për kryetarin e partisë pas dorëheqjes së Sali Berishës. Pas votimit, Olldashi tha se gara ishte e paracaktuar, duke mos e pranuar fitoren e Bashës.
Sot Erion Veliaj risjell në skenë emrin e tij për ta identifikuar me një rruge në njësinë 2 (aty ku Olldashi banonte) ndoshta edhe për të tërhequr vota në mos simpati nga demokratët mbështetës të Olldashit që nuk e panë asnjëherë veten tek Lulzim Basha.
Vendosja e emrit të tij një rruge pas 8 vitesh dhe në prag fushate të çon edhe në një aludim të tillë.
“Kemi marrë gjithashtu një propozim për një rrugë në këtë zonë, në Njësinë numër 2, me emrin Sokol Olldashi, ndaj duam që edhe atë koleg e mik ta respektojmë gjithashtu dhe besoj që Tirana do të jetë më dinjitoze me rrugë dhe shkolla cilësore, por edhe me emra dinjitozë të atyre që i kanë shërbyer këtij vendi. Përtej bindjeve politike, kush ka qenë shërbëtor publik i këtij atdheu dhe i këtij qyteti meriton të vlerësohet, si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta,” tha Veliaj i cili më herët njoftoi edhe ndërtimin e një shkolle të re që do të mbajë emrin e deputetit të ndjerë Bashkim Fino i cili vdiq nga COVID/19.