Vdekja vjen për të gjithë, një ditë. Për aktorin, i cili e pat nisur karrierën si aktor me filmin “Ngadhënjim mbi Vdekjen”, erdhi në moshën 78 vjeçare pas një viti beteje me sëmundjen.
Por nga të gjithë të vdekshmit, ndoshta artistët janë ata që e sfidojnë të pashmangshmin fat, duke u përjetësuar në art. Andon Qesari i kishte të rralla daljet mediatike, duke zgjedhur të flasë përmes punës së tij në skenë e pas skene apo në ekranin e kinemasë, si aktor e regjisor. E megjithatë portreti i tij fliste shumë dhe të ngulitej në kujtesë për vite.
E mbaj mend si të ishte sot, në “Dhelpra dhe Rrushtë” si Ksanthi përkrah Ezopit interpretuar me aq mjeshtëri nga Kadri Roshi. Ishte nga ato shfaqje teatri që i transmetonte Radiotelevizioni shqiptar dhe si fëmijë më la gjatë përshtypje portreti i tij modern, gjestet elegante, buzëqeshja ironike dhe gjyzlykët një detaj bashkëkohës për një vepër të antikitetit, që e bënin një filozof të kohëve tona.
Lëkura e bronztë ishte vula e vendlindjes, Qeparoit të bukur buzë Jonit, ku u lind më 1942. U diplomua si aktor më 1966, në shkollën “Aleksandër Moisiu”. Me diplomimin erdhi emërimi si aktor në teatrin e trupës profesioniste të Vlorës.
Ishte koha kur nisi karriera në kinema, e ndërthurur fort me teatrin, të cilin ai e konsideronte dashurinë e tij.“Filmi ishte një eksperiment në mjeshtërinë e aktorit, ndërsa teatri dashuria ime”, rrëfente ai kohë më parë.
Në shtatëdhjetë vjetorin e lindjes botoi librin “Unë, ti dhe teatri”, në një rrugëtim me të djeshmen, të sotmen dhe një parashikim për të nesërmen. Shkrime analitike e komente mbi shfaqje e personalitete të artit skenik, probleme të regjisë, skenografisë, të aktorit marrëdhënieve të tij me rolin, probleme të teatrit, edukimit teatror, probleme të shkollës të mjeshtërisë së aktorit…një udhëzues i dobishëm për brezat e rinj, breza që i përgatiti si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve.
Në teatër Qesari realizoi role si ai i kontit në “Fernando Krafi më ka shkruar një letër” Zeusi tek “Prometeu”, At’ Kormili tek “Monserati”, Kapuleti në “Romeo dhe Zhuljeta”, Luixhi në “Tragjedia e Deas”, Aleksi në “Doktori pacient”, Qamil Beu në “Epoka para gjyqit”, Berlingu tek “Vizita e inspektorit”, e të tjerë.
Në teatër qe edhe bashkë-regjisor i shfaqjes së suksesshme “Pallati 176” , me Alfred Bualotin, “Valsi i Titanikut”, “Nën dritat e skenës”, “Karnavalet e Korçës” apo “Në jetë”.
“Kam pasur fatin e madh që së bashku me Alfred Bualotin vura në skenë “Pallatin 176”. Ishte një përvojë shumë interesante me aktorë shumë të mëdhenj si Violeta Manushi dhe Roland Trebicka. Vepra është shfaqur 450 herë dhe janë sot mbi 1 milion e gjysmë videokaseta të saj që janë shitur dhe unë nuk kam asnjë kafe prej saj”, rrëfente Qesari.
Dhjetëra ishin edhe rolet e tij në kinema, nga viti 1967 e deri më 2007, në filma si “Pylli i Lirisë”, “Ata ishin katër”, “Dëshmorët e Monumenteve”, “Fushë e blertë, fushë e kuqe”, “Tela për violinë”, “Stola në park”, “Në emër të lirisë”, “Tingujt e harresës”, Sekretet” e të tjerë.
Portreti i tij qe gjithnjë modern, nga syzet e mëdha të errëta në karrierën më të vonë, tek kapela shapkë mbi krye dhe cingari në buzë në rolin e parë, në filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen”, i cili megjithë pengesat nga censura e regjimit, arriti të shfaqej dekada më vonë.
“Dashuria e Tij e pamat për ne, familjarët dhe njerëzit e tij të afërt, përpjekjet për të na dhënë një jetë me dinjitet dhe begati, pasioni i vyer artistik që e shoqëroi gjatë gjithë jetës dhe shënoi një karrierë të paharrueshme në teatrin shqiptar dhe studimin e artit, humori i hollë që e spikaste, janë trashëgimi më i çmuar që na la. Të dua Ba’ dhe mirupafshim në një jetë më të mirë…”, shkruante i biri, Edon Qesari në rrjetet sociale, ndërsa ndante lajmin e hidhur. Në këtë jetë pati fatin dhe talentin të përjetësohet në artin e kinemasë dhe të teatrit.